KMSH uron Ramazanin: Iftaret e përvitshme le ti kthejmë në ndihma për familjet në nevojë

Ashtu si besimtarët e krishterë dhe ortodoksë festuan në një mënyrë të pazakontë Pashkët, edhe besimtarët myslimanë do të festojnë krejt ndryshe sivjet muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në një mesazh drejtuar besimtarëve, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar për të gjithë besimtarët agjerim të lehtë, që do të nisë prej ditës së nesërme, 24 prill.

Bujar Spahiu: “Jemi mësuar që Ramazanin ta presim me namaze e teravive, me përqafimet vëllazërore, me lutjet e përbashkëta krah në krah, por këtë Ramazan po e presim me një atmosferë ndryshe. Situata e krijuar nga Covid-19 na ka detyruar që Ramazanin këtë vit ta përjetojmë kryesisht brenda një rrethi të ngushtë dhe familjar. Me shpresën dhe lutjet që tubimet për teravi, namaze nate dhe përjetimi i këtij muaji në xhemat të kthehet sa më shpejt. Gjatë këtij muaji të rizgjojmë ndjenjat e bukura, të ndezim shpresat, të pastrojmë ndërgjegjet dhe të lutemi sa më shumë, sepse mëshira e Zotit në këtë muaj është e pakufishme”.

Këtij Ramazani do ti mungojnë edhe iftaret që bëni bashkë besimtarët, andaj Spahiu apelon që iftaret e përvitshme ti kthejë në ndihma për familjet në nevojë.

Mesazhi i plotë i urimit

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë, nesër, më 24 prill fillon Muaji i Bekuar i Ramazanit. Kam kënaqësinë dhe nderin të uroj në emrin tim personal dhe ne emrin e institucionit qe përfaqësoj të gjithë besimtarët mysliman nga Shqipëria, trevat shqiptare, diaspora dhe më gjerë: Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Jemi mësuar që Ramazanin ta presim me namaze e teravive, me përqafimet vëllazërore, me lutjet e përbashkëta krah në krah, por këtë Ramazan po e presim me një atmosferë ndryshe.

Situata e krijuar nga Covid-19 na ka detyruar që Ramazanin këtë vit ta përjetojmë kryesisht brenda një rrethi të ngushtë dhe familjar. Me shpresën dhe lutjet që tubimet për teravi, namaze nate dhe përjetimi i këtij muaji në xhemat të kthehet sa më shpejt.

Feja Islame i ka dhënë një rëndësi të madhe xhematit, adhurimeve të përbashkëta në grup, por Allahu i ka dhënë mundësinë njeriut që ta adhurojë Atë edhe individualisht. Kjo vlen edhe për Ramazanin.

E nisim këtë muaj me sihariqin që Allahu na jep në Kuranin famëlartë në suren Inshirah ku thuhet: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”.

Muaji i Ramazanit është muaji i durimit, i lutjes, i Kuranit, i bujarisë, është muaji i dashurisë, vlerave njerëzore, respektit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Të nderuar besimtarë, situata në të cilën jetojmë na ka detyruar të qëndrojmë më shumë në shtëpi dhe të kalojmë një kohë më të gjatë, me fëmijët tanë, më bashkëshortet dhe me prindërit. Le ta shfrytëzojmë këtë kohë për të kaluar më shumë kohë produktive me fëmijët, t’ju mësojmë atyre bukuritë e besimit tonë, t’ju mësojmë librin e Zotit dhe të krijojmë një ambient ku ata të kënaqen. Bashkëshortët të jenë mbështetje për njëri-tjetrin.

 Gjithashtu për të gjithë ata që jetojnë bashkë me prindërit të shtojnë sjelljet e mira ndaj tyre, fjalët e ëmbla dhe të bukura. Mos t’i harrojmë ajetet Kuranore dhe hadithet e Profetit Muahmed a.s mbi respektin dhe sjelljet ndaj prindërve.

Të nderuar besimtarë, mos të harrojmë gjatë këtyre ditëve edhe ata të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Iftaret tona të përvitshme le ti kthejmë në ndihma për familjet në nevojë.

Të nderuar motra dhe vëllezër,

Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na e pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë. Lus Zotin që kjo situate e krijuar nga Koronavirusi të largohet sa më shpejt dhe të rikthehemi sërish tek përjetimi i namazeve në xhami, iftareve të përbashkëta dhe takimeve vëllazërore.