Klasikja Vllaznia-Tirana. Malota ka një mesazh për gjyqtarin…

Renato Malota është optimist se Vllaznia duhet të jetë në mes katër skuadrave më të mira. Mbrojtësi ka folur për takimin ndaj Ballshit e po ashtu edhe për objektivat e skuadrës për sfidën ndaj Tiranës, ku shpreh dëshirën që të ketë një mbështetje të zjarrtë të tifozërisë kuqeblu.

Goli i tretë për Malotën me fanellën e Vllaznisë. Sa emocione i jep një mbrojtësi që përveç detyrës që bën, ndihmon skuadrën edhe me gola?
Ndihem shumë mirë që po e ndihmoj skuadrën dhe në fazën ofensive. Normalisht detyra jonë është të mbrojmë, por nganjëherë ne lojtarët me eksperiencë duhet të ndihmojmë ekipin dhe në aspektin sulmues, kështu që mendoj se është një gjë pozitive dhe uroj ta ndihmoj ekipin dhe në ndeshjet në vazhdim.

Mund të quhet një barazim me vlera ky i arritur në Ballsh dhe a mund të kishte marrë më shumë Vllaznia nga kjo sfidë? 
Mendoj se ishte një ndeshje pozitive për ne, por të jem i sinqertë, me dhemb shumë mënyra se si i pësuam dy golat. Është e pafalshme nga ana jonë. Duhet të punojmë fort dhe të mos i përsërisim më ato gabime, pasi kemi një ekip shumë të mirë dhe mund të përballemi denjësisht me çdo skuadër. Në Ballsh i kishim të gjitha mundësitë të dilnim me tri pikë, por ky është futbolli.

Vazhdon ecuria pozitive e skuadrës në transfertë. Çfarë ndikon te ekipi në lojën jashtë fushës?
Është pyetje që na është bërë shumë herë. Ndoshta ai presioni i madh që kemi në Shkodër për t’i fituar ndeshjet me patjetër na bën që brenda fushës të mos marrim maksimumin e pikëve. Ndërsa kur luajmë jashtë, nuk kemi presionin që kemi në Shkodër dhe mendoj ky është një aspekt shumë i fortë që ne vazhdojmë të bëjmë mirë në ndeshjet jashtë fushe.

A do të vijojë kjo ecuri pozitive e këtij fillimviti edhe në përballjen me Tiranën?
Është një nga ndeshjet më të bukura në futbollin shqiptar. Uroj që këtë herë në Shkodër kundër Tiranës të mos ndikojnë arbitrat negativisht, pasi fazën e parë ishin arbitrat që na penalizuan dhe morëm një humbje jo të drejtë. Do jetë një takim shumë i fortë, pasi Tirana po kalon një moment mjaft të mirë, por nga ana tjetër ne kemi një ekip më të konsoliduar se dy fazat e para dhe mendoj se do marrim maksimumin në këtë ndeshje.

Cili do të jetë objektivi i Vllaznisë në përballjen me Tiranën?
Objektivi do jetë që të luftojmë fort dhe të bëjmë më së miri detyrat që do na japë trajneri. Rezultatin e di vetëm ai lart (Zoti), por ne do bëjmë më të mirën që të marrim maksimumin në këtë sfidë.

Mund të quhet kjo skuadër e kompletuar, dhe mund të jetë rivalizuese deri në fund për një vend më lart në tabelën e klasifikimit?
Nuk dua të jap deklaratë në eufori e sipër, por të jem i sinqertë Vllaznia e tanishme është shumë herë më e fortë se ajo e dy fazave të para. Me rikthimin e Hygor dhe me ardhjen e Zhunior mendoj se Vllaznia është një nga 3-4 ekipet më të mira tani në superligën shqiptare. Kam shumë besim që ky ekip do ecë për më lart sepse kemi një grup shumë të mirë dhe lojërat që po bëjmë janë një tregues për këtë gjë. Uroj të kemi mbështetjen maksimale të tifozëve dhe do mundohemi të mos i zhgënjejmë këtë javë në stadiumin “Loro Boriçi”.