“Kemi faj që na vodhën zgjedhjet”, Marku me tone të ashpra: PD është në pikën më kritike të saj

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Lezhë, Mark Marku mbajti një fjalim me tone të ashpra ditën e sotme gjatë Kuvendit Kombëtar.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar kërkoi që të bëhet një analizë e thelluar dhe të ndryshohet strategji për faktin e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.

“Ky Kuvend mblidhet në një moment dramatik për PD dhe shoqërinë shqiptare. Për mua është një situatë dramatike.

Pritej, dhe të gjithë prisnim që 25 prilli të sillte ndryshim. Në fakt ndodhi e kundërta. Në vend të ndryshimit sot kemi një regjim më të përforcuar, me një shumicë solide votash. Kjo erdhi kryesisht, siç thuhet dhe në analizën e zgjedhjeve, qeveria e Edi Ramës u angazhua në një operacion masiv të blerjes së votës. Si drejtues i Qarkut Lezhës, ishte e dukshme. Një pjesë e mirë e lekëve u hodhën në Mirditë, Kurbin. Po ashtu në funksion të fushatës u punësuan në administratë përmes procedura të dyshimta, me qindra qytetarë të këtij qarku,” tha Marku.

Sipas tij PD është një situatë kritike, ndërsa ka shtuar se nëse vijohet në këtë rrugë do të mbetet në opozitë 4 vite me radhë.

“PD është në pikën më kritike të saj. Pse? Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje, është shndërruar në regjim politik me rrezik të lartë. Anëtarësia e PD, opinioni publik, mendoj se kanë pritshmëri tjetër nga ajo që po bëjmë ne sot. Mënyra se si po përballemi në këtë Kuvend, është jashtë kontekstit ku ndodhemi. Nëse ne nuk kapim kohën politike, nëse s’jemi në kohë politike, ne rrezikojmë që pas 4 vitesh të mblidhemi këtu dhe të themi; “na vodhën prapë”, “masakër zgjedhore”. Duhet të mendojmë seriozisht që mos të na vjedhin sërish.  Na kanë vjedhur një herë, nuk bëhet fajtor i vjedhur për vjedhësin. Kur të vjedhin për herë të dytë, e ke një farë faj. Kur na vjedhin dy herë shtëpinë, e ke pak fajin dhe ti, se ke lënë bravën hapur. Duhet të mendojmë më seriozisht,” u shpreh Marku në fjalën e tij.