“Ishulli i Pinguinëve”, Arben Golemi çel ekspozitën në Shkodër…

Shpërndaje

Piktori Arben Golemi, artisti i njohur nga qyteti i “një mbi një dritareve”, çeli në Galerinë e Arteve të Shkodrës ekspozitën personale “Ishulli i Pinguinëve”. Ekspozita sjell për publikun një përzgjedhje punimesh të realizuara ndër vite, ku secila vepër lë hapësirë për interpretim të lirë nga vizitorët.

Vetë artisti u shpreh se ka përzgjedhur piktura nga cikle të ndryshme krijimtarie, duke e konceptuar ekspozitën si një retrospektivë artistike.

“Arti është i lirë dhe secili e percepton ndryshe. Dikush mund të shohë Beratin, dikush New Yorkun apo natyrën, gjithçka varet nga mënyra se si lidhet me veprën”, tha Arben Golemi.

Piktori ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e galerive të artit në vend, duke theksuar se qytete si Shkodra duhet të kenë më shumë hapësira ekspozuese për artistët dhe për rryma të ndryshme artistike, përfshirë edhe artin bohem.

Ndërkohë, drejtori i Galerisë së Arteve Shkodër, Fatmir Juka, vlerësoi krijimtarinë e Golemit, duke e cilësuar atë si një artist që ndërthur traditën e pikturës shqiptare me frymën bashkëkohore.

Ekspozita “Ishulli i Pinguinëve” do të qëndrojë e hapur për dy javë dhe do t’u japë mundësi artdashësve të njihen më nga afër me botën artistike të Arben Golemit.

Shpërndaje