QKB thirrje bizneseve: Dorëzoni pasqyrat financiare brenda 31 korrikut, shmangni penalitetet…

Shpërndaje

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve tregtare që kanë detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare vjetore për vitin 2025, të përmbushin këtë detyrim brenda datës 31 korrik 2026.

Sipas njoftimit të QKB-së, depozitimi i pasqyrave financiare kryhet vetëm në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, duke përdorur shërbimin “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)”.

Institucioni kujton se mosdorëzimi i pasqyrave financiare brenda afatit ligjor sjell pasoja administrative, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9723, datë 3 maj 2007, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, i ndryshuar.

Dokumentacioni që duhet të depozitohet, kur kjo kërkohet nga legjislacioni në fuqi, përfshin pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit.

Detyrimin për raportimin dhe dorëzimin e pasqyrave financiare e kanë subjektet që janë tatimpagues të Tatimit mbi Fitimin Korporativ ose Tatimit mbi të Ardhurat Personale Biznesore, në rastet kur realizojnë një qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë.

QKB u bën apel bizneseve që të mos e shtyjnë dorëzimin për ditët e fundit, me qëllim shmangien e vonesave dhe problematikave teknike që mund të shfaqen gjatë procesit.

Për çdo informacion shtesë ose asistencë teknike, subjektet mund të kontaktojnë QKB-në në adresën elektronike [email protected] ose në numrin pa pagesë 0800 80 02.

Shpërndaje