Konferencë ndërkombëtare mbi vlerësimin psikologjik në Universitetin e Shkodrës…

Shpërndaje

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, përmes Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Përparimi i Standardeve në Vlerësimin Psikologjik: Kërkim dhe Praktikë në Shqipëri” (ASPA-26), një aktivitet që mblodhi në Shkodër akademikë, studiues dhe profesionistë të shëndetit mendor nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës.

Ceremonia e hapjes solli një qasje ndryshe nga formatet tradicionale, duke u shoqëruar me interpretim të pjesëve të muzikës klasike, çka i dha aktivitetit një dimension artistik dhe emocional.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës dhe Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë, si dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, në kuadër të projektit “Instrumentet e Vlerësimit Psikologjik në Shqipëri: Sfidat, Boshllëqet dhe Perspektivat për Praktikë të Bazuar në Evidencë”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, rektorja e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, theksoi rëndësinë e konferencave shkencore si hapësira ku kërkimi dhe praktika profesionale ndërthuren për të prodhuar dije dhe standarde të reja akademike. Ajo nënvizoi gjithashtu angazhimin e institucionit për të forcuar kërkimin shkencor dhe ndërkombëtarizimin.

Përshëndetje u mbajtën edhe nga dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Eranda Bilali, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa (online), presidentja e Urdhrit të Psikologut në Shqipëri, Valbona Treska (përmes videomesazhi), si dhe drejtuesi i projektit, Visar Dizdari.

Një rol të veçantë në konferencë patën edhe dy ligjëruesit kryesorë ndërkombëtarë: Prof. Dr. Christophe Leys nga Université Libre de Bruxelles në Belgjikë dhe Prof. Carmelo Maria Porto nga Universiteti i Mesinës në Itali.

Gjatë punimeve u zhvilluan pesë sesione paralele, ku u trajtuan tema bashkëkohore si inteligjenca artificiale në psikologji, validimi i instrumenteve psikologjike, psikologjia klinike dhe mirëqenia, zhvillimi dhe përfshirja, si dhe sfidat e vlerësimit në psikologjinë ligjore dhe sociale.

Në përmbyllje të aktivitetit u prezantuan përmbledhjet e sesioneve shkencore, ndërsa organizatorët shprehën mirënjohje për partnerët institucionalë, komitetet shkencore dhe organizative, folësit, studiuesit, studentët vullnetarë dhe stafin mbështetës që kontribuuan në suksesin e ASPA-26.

Konferenca u moderua nga drejtuesja e Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, Dr. Elona Hasmujaj.

ASPA-26 u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe rritjen e standardeve profesionale në fushën e psikologjisë në Shqipëri.

Shpërndaje