Gjermani/ Hidhet poshtë plani për të bërë të detyrueshme maskat në shkolla…

Një plan për të bërë të detyrueshme maskat e fytyrës në shkolla në Gjermani është hedhur poshtë pas kundërshtimit nga udhëheqësit e 16 shteteve të vendit, raporton Reuters.

Një draft i masave të reja, i parë nga agjencia e lajmeve, hodhi poshtë referencat e mëparshme që orët e mësimit të mbaheshin me më pak nxënës, ashtu edhe planet për të bërë mbajtjen e maskave të detyrueshme për fëmijët e klasave fillorë.

Në draftin e ri thuhet që udhëheqësit e 16 shteteve të Gjermanisë do të propozonin masa të reja javën e ardhshme për të frenuar infeksionet në shkolla.

Që prej fillimit të nëntorit Gjermania ka urdhëruar për një muaj mbylljen e objekteve të kulturës dhe aktiviteteve në kohë të lirë. Kafenetë dhe restorantet do të punojnë vetëm për shitjen e mallrave jashtë objekteve, pra mund të shesin ushqime që mund të merren me vete. Edhe për takimet e personave janë ashpërsuar masat: në ambiente të hapura mund të takohen vetëm anëtarët e dy familjeve, e kjo vlen pjesërisht edhe për takime në objekte të mbyllura. Hotelet nuk do të pranojnë turistë. Dyqanet mbeten të hapura, por me kushte shumë më të rrepta se deri tani.