Firmoset marrëveshja, Turqia trajtim falas për 100 pacientë shqiptarë…

Ministria e Shëndetësisë njofton se në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë këtë të mërkurë në Ankara është firmosur edhe pakti për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.

Marrëveshja është firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Dr.Fahrettin Koca, Ministri i Shëndetësisë së Turqisë dhe ka për qëllim përmirësimin e sistemeve dhe politikave shëndetësore, përmes praktikave të përparuara akademike dhe shkencore.

Ndër të tjera në marrëveshjen e rinovuar parashikohet se Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë do të vazhdojë të ofrojë trajtim falas, për 100 pacientë në vit nga Shqipëria për ndërhyrje të vështira.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë është një faktor i rëndësishëm në zhvillimin kombëtar, pasi vendet do të shkëmbejnë eksperiencë dhe bashkëpunojnë, në forcimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor, shëndetin publik, shkëmbimi i njohurive e përvojave mbi barnat, pajisjet mbrojtëse dhe vaksinat, në lidhje me përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19.

Marrëveshja mes dy Ministrive të Shëndetësisë do të shtrihet edhe në bashkëpunimin  për sistemet dhe teknologjitë e informacionit shëndetësor, statistikat, sistemet e menaxhimit të informacionit spitalor, në shërbimet e akreditimit dhe kontrollit të cilësisë, në farmaceutikë, pajisje mjekësore, vaksina, bioteknologji, etj.

Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është bashkëpunimi në emergjenca, fatkeqësi natyrore dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta të punës si organizimi i përbashkët i javëve shëndetësore, forumeve të biznesit shëndetësor etj.

Në marrëveshjen e rinovuar parashikohet gjithashtu se, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë do të vazhdojë të ofrojë trajtim falas, për 100 pacientë në vit nga Shqipëria për ndërhyrje të vështira, që kanë nevojë për trajtim tejet të specializuar” deklaron ministria shqiptare e Shëndetësisë.