Falja e taksave vendore, socialistët votojnë kundra propozimit të Voltana Ademit…

Socialistët në këshillin bashkiak të Shkodrës rrëzuan propozimin e kryebashkiakes demokrate Voltana Ademi për faljen e taksave vendore për një periudhë 3 mujore, si masë ndihmuese për biznesin në situatën e luftës ndaj koronavirusit. Mbledhja e Këshillit u mbajt përmes videokonferencës.

Këshilli bashkiak i Shkodrës rrëzoi propozimet e kryebashkiakes Voltana Ademi për lehtësi fiskale ndaj biznesit në luftën kundër koronavirusit.

Të mbledhur përmes videokonferencës, këshilltarët në shumicë socialistë, votuan kundër përjashtimit nga taksa e pronës dhe tarifat vendore të të gjitha kategorive taksa paguese për tre muaj.

Duke kundërshtuar nismen e kryebashkiakes demokrate, këshilli kërkoi që në këtë pikë të merren parasysh propozimet e qeverisë për ndihmën ndaj biznesit dhe njerëzve në nevojë

Ndërkaq Këshilli bashkiak i Shkodrës propozoi një projekt rezolutë me 15 pika ndaj situatës nga COVID-19 për bashkinë Shkodër.

41 këshilltarët pjesëmarrës në mbledhjen online ranë dakort të monitorojnë nga afër situatën e krijuar nga koronavirusi në qark.

Duke marrë shkas nga 12 rastet e konfirmuara të premten në Shkodër, edhe Komisioni i Mbrojtjes Civile në Shkodër u kërkoi institucioneve për vemendje të shtuar në luftën për parandalimin e koronavirusit.

Institucioneve u kërkohet angazhim në gjurmimin e të dyshuarve, dezinfektimin e hapësirave, respektimin e vetëizolimit duke i krijuar mundësinë e dërgimit në shtëpi të ushqimeve.