Euro bie në nivelin më të ulët në dy muaj…

Euro e ka nisur edhe këtë javën në rënie në kursin e këmbimit ndaj lekut, duke zbritur përsëri poshtë nivelit të 115 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 114.86 lekë, niveli më i ulët që prej datës 4 janar të këtij viti.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se arsyeja kryesore pas kësaj rënieje është kërkesa e dobët për euro në treg. Sipas tyre, gjatë javëve të fundit blerjet e euros kanë qenë në nivele të ulëta. Nga ana tjetër, ata shprehen se prurjet e monedhës europiane ngelen relativisht të larta, sidomos nga individët.

Kursi shfaqi një luhatshmëri të fortë në periudhën mes fundit të dhjetorit dhe fillimit të janarit. Pasi preku nivelin më të ulët historik më datë 28 dhjetor, në 112.83 lekë, në vijim euro shënoi një rritje të fortë, që, sipas agjentëve, shpjegohet kryesisht me kërkesën e fortë që shkaktoi ulja e kursit në nivele aq të ulëta, por edhe me rritjen e fortë të ofertës së lekut, të shkaktuar nga përqendrimi i fortë i shpenzimeve publike në fund të vitit të kalendarik. Pagesat buxhetore krijuan likuiditete shtesë për shumë biznese të lidhura dhe një pjesë e tyre shrytëzuan konjukuturën e kursit për të realizuar blerje në avancë për nevojat e tremujorit të parë 2023.

Kjo duket se ka shkaktuar një kërkesë më të dobët për valutë gjatë tremujorit të parë dhe po reflektohet edhe në raportet e kursit të këmbimit të euros me lekun. Pas një ecurie relativisht të qëndrueshme gjatë muajit janar, pas shkurtit kursi i euros i është kthyer një tendence në rënie, që veçanërisht në dy javët e fundit është përshpejtuar edhe më shumë.