Erkand Qerimaj: Hapja e sallave për peshëngritjen nuk është urgjente, synoj Europian dhe Lojërat Olimpike

Erkand Qerimaj është një tjetër sportist elitar, nga i cili Shqipëria kishte pritshmëri shumë të larta për vitin 2020.

Peshëngritësi shkodran ishte në garë për të marrë biletën e dytë të shtangës kuqezi për në Lojërat Olimpike, mirëpo kaosi që shkaktoi virusi “COVID-19” ia prishi planet edhe 31-vjeçarit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Qerimaj rrëfen periudhën e karantinës si dhe tregon objektivat për pjesën e mbetur të sezonit. Ndërsa për sa i përket çeljes së dritës jeshile edhe për eventet në salla të mbyllura, ai shprehet se momentalisht për peshëngritjen ky nuk është një problem, duke qenë se garat janë ende larg.

Sa e vështirë ka qenë kjo periudhë për ju dhe si po ia bëni për t’u stërvitur?
Si gjithë të tjerët edhe unë kam zbatuar karantinën duke qëndruar në shtëpi pranë familjes. Jam munduar të stërvitem në shtëpi, sa për të ruajtur disi formën, ndërsa në ndonjë rast jam ushtruar edhe në palestër. Normalisht që e kam ulur ritmin dhe ngarkesën e stërvitjes, sepse të gjitha garat u shtynë, duke nisur nga Kampionati Europian, i cili është vendosur të mbahet në fund të tetorit. Për të vijuar më pas me Olimpiadën që do të zhvillohet në vitin 2021.

Keni pasur ndonjë problem fizik apo shqetësim gjatë kësaj kohe?
Jo, asnjë problem. Jam stërvitur normalisht në mënyrë që ta ruaj disi formën dhe ritmin.

Sa kohë do t’ju nevojitet për të arritur formën tuaj optimale?
Do të kem kohë mjaftueshëm për ta arritur formën time maksimale, sepse garat janë ende larg. Gradualisht do të filloj stërvitjen edhe me nga dy seanca në ditë për të qenë në formën e duhur kur të vijë momenti i garave.

Cilët janë objektivat më të afërt për Erkand Qerimajn?
Fokusi im kryesor është Kampionati Europian, sepse siç dihet është një event kualifikues për në Lojërat Olimpike. Shpresoj që të mos ketë një tjetër shtyrje, sepse jemi në një situatë jo shumë të qartë, ku shumë specialistë thonë që virusi mund të rikthehet në dimër.

Siç dihet, një javë më parë qeveria dha miratimin për hapjen e aktiviteteve dhe stërvitjeve në ambiente të hapura. Mendoni që ka ardhur momenti që të rishikohet vendimi edhe për sallat e mbyllura?
Ky është një vendim i marrë nga organet kompetente dhe mendoj që nuk kemi pse të ngutemi. Të paktën për peshëngritjen aktualisht nuk do ta konsideroja një problem shumë të madh, duke parë edhe garat që tashmë janë shtyrë për në vjeshtë. Kështu që, mendoj se duhet të tregohemi të kujdesshëm.

PANORAMASPORT.AL