Egnatia, leksion Vllaznisë në “Loro Boriçi”…

Dy takimet e fundit të javës së 31-të të “Abissnet Superiore”, Vllaznia-Egnatia dhe Tirana-Kastrioti janë luajtur të dielën në mbrëmje, duke nisur nga ora 18:00 dhe ka spikatur takimi që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Vllaznia u përball me Egnatian, për herë të dytë në pak ditë, teksa të dy ekipet u ndeshën me njëra-tjetrën po në Shkodër, në takimin e parë të vlefshëm për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Ajo ndeshje u mbyll në barazim 1-1, me të dyja skuadrat që e lanë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit sa i përket kualifikimit. Për këtë arsye, ndeshja në kampionat ishte e po aq e rëndësishme, sepse të dyja skuadrat synojnë vendin e 3-të të renditjes, që të çon në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Ndonëse ka qenë Vllaznia që e ka nisur më mirë ndeshjen, në minutën e 23-të është Mëllugja që godet befasisht nga jashtë zone, duke mposhtur portierin Zogoviç dhe duke gjetur rrugën e rrjetës.

Pavarsisht përpjekjeve të shkodranëve për të barazuar, që nuk kanë munguar, 45 minutat e para janë mbyllur me epërsinë minimale të rrogozhinasve. Edhe ato të dytat kanë nisur më mirë për skuadrën vendase dhe vetëm shtylla e portës së Egnatias do t’u mohojë shkodranëve në minutat e para. Por sërish, përkundër rrjedhës së lojës, është Egnatia që befason, teksa Duamena finalizon me sukses një kundërsulm të miqve, duke mposhtur portierin dhe mbrojtjen e kuqebluve e duke përshëndetur rrjetën e duke dyfishuar shifrat për rrogozhinasit.

Madje Egnatia do të jetë pranë golit të 3-të 3 minuta më pas, por është ndalur nga shtylla. Megjithatë, goli i 3-të do të vijë 13 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Fernando do të mposhti Zogoviçin.

Por rrogozhinasit nuk ndalen në minutën e 83-të, emrin e tij në listën e golashënuesve do ta shkruajë edhe Xheksoni.

Egnatia mposht kështu Vllazninë me rezultatin e thellë 4-0 dhe konsolidon pozitat në vendin e 3-të të renditjes, ndërsa shkodranët rrëshqasin në atë të 5-tin.