‘E njoh Ervis Martinajn’, Prençi: Si filloi përplasja mes tij dhe politikës…

Ish-drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi deklaroi se e njeh personalisht të shumëkërkuarin, Ervis Martinaj, për të cilin tha se ishte një biznesmen i lojërave të fatit.

Në emisionin “Review” në Euronews Albania, Prençi u shpreh se pas vitit 2013, politika kërkoi t’i hynte në pjesë Ervis Martinajt në aktivitetin e tij, ndaj tanimë ai nuk trajtohet thjesht si një biznesmen, por si kriminel.

“Nuk ishte Ervis Martinaj kriminel dje. Ishte një punonjës pasionant i lojërave, i basteve sportive. Flas për pjesën përpara, unë e njoh Ervis Martinajn kur ishte punonjës vetë dhe montonte aparate dhe çuditërisht në atë kohë nuk ishte kriminel. Ai ishte një biznesmen që operonte në lojërat e fatit, flas për periudhën para vitit 2013.

Pas vitit 2013, kur politika dhe qeveria, nëpërmjet oktapodëve të tyre, kërkuan t’i futen në pjesë Vis Martinajt dhe u futën në negociata për t’i marrë aksione, aty filluan përplasjet. E di drejtësia shqiptare, e di edhe policia, kush tentoi dhe kush e inkriminoi Ervis Martinajn, kush i kërkoi pjesë Ervis Martinajn. Për këtë duhet të japë llogari dhe prokuroria, e dinë, madje i kanë edhe të regjistruara”, theksoi ai.