Dedë Jakova ndër autorët me korpusin fotografik më voluminoz në arkivën e muzeut Marubi…

Dedë Jakova është ndër autorët me korpusin fotografik më voluminoz në arkivën e muzeut.

Puna për hulumtimin e koleksionit të tij na ka njohur një fotograf të kujdesshëm, të zhdërvjelltë, një performues të jashtëzakonshëm, një personazh qendror të një pjese të madhe të shkrepjeve të tij, një kurues të imazhit si nga ana cilësore e materialit fotografik – përfaqësues i vetëm në rang kombëtar i filmave fotografikë “Ferrania” e “Lomberg” – ashtu edhe nga ajo estetike e ndjesore në momentet që ai përzgjedh të fotografojë, që nga imazhet lojcake me miq e deri tek parakalimet e momente të tjera zyrtare.

Në këtë fotografi, ndoshta të shkrepur në ambientin e një oborri, na shfaqet teksa ruan mes duarsh me shumë përkujdesje, një mace të vogël. Në njëfarë mënyre, përkujdesja ndaj imazhit- cilësisë së tij, çastit e personit që fotografon, imazhit të vet në fotografi, informacioneve të detajuara që na ka lënë rreth tyre – shoqëruar me një lloj freskie e lirshmërie, njëson repertorin e tij fotografik dhe i hap rrugë prurjeve interpretuese të momenteve që na propozohen përmes tij.

©MKFM, Dedë Jakova, 1939