As qytetarët, as kamionët, deri në 4 dhjetor nuk lejohet kalimi në Greqi nga Kapshtica

Prej orës 06:00 të mëngjesit të ditës së sotme deri në datën 04.12.2020 nuk lejohet hyrja në Greqi nga pika kufitare e Kapshticës në Korçë. Dje u mor vendimi nga qeveria greke, ndërsa sot nis zbatimi.

Nga sot Kapshtica do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.

Njoftimi i policisë shqiptare erdhi pas mbylljes së pikës kufitare, pra në orën 08:21 minuta, teksa në doganë ka radhë. Disa qytetarë, por edhe kamionë kanë mbetur të bllokuar.

Shoferët e kamionëve janë shprehur se nuk ishin në dijeni se do u ndalohej kalimi në Greqi nga Kapshtica.

Masa e fortë erdhi pas rritjes së rasteve me koronavirus në veriun e Greqisë, teksa Selaniku është kthyer në shqetësimin kryesor për autoritetet e vendit fqinj.

Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi dhe të drejtohen nga dogana e Kakavijës.

Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës.