Artan Kalaja: Më larguan pas pesë muajsh stervitje…

Vllaznia në volejboll për femra është skuadra e parë në botë e cila do të ketë dy trajnerë të parë, vendim ky i bashkisë Shkodër.

Njëri do zhvillojë stërvitjen një javë dhe tjetri një javë tjetër ashtu siç njëri do drejtojë një ndeshje dhe tjetri ndeshjen pasardhëse.

Këtë absurditet e ka bërë të ditur Artan Kalaja të cilin drejtoria e sporteve në bashkinë Shkodër nuk e ka pranuar që të jetë ndihmës trajner i ekipit të parë tek volejbollistet femra të Vllaznisë. Prej 5 muajsh Kalaja ka stërvitur vajzat dhe pas 5 muajsh sorollatje bashkia Shkodër nuk ka pranuar të firmos shkresën që “Sport Klub Vllaznia” e ka dërguar

Trajneri Kalaja ndjen keqardhje për faktin e vetëm që bashkia reagon pas 5 muajsh dhe jo në momentin e parë kur në drejtorinë e sporteve ka mbërritur shkresa

Pas një shkëputje nga meshkujt Artan Kalaja u rikthye si trajner volejbolli por këtë herë duke iu bashkuar një projekti për volejbollin e femrave që ka paraqitur Besnik Lisha i cili ka ardhur nga Amerika duke shpenzuar paratë nga xhepi i tij për të ndërtuar një ekip që pas 5 vitesh të futej në Kupat e Europës, projekt i cili pas problemeve të krijuara duket se nuk do të ketë jetëgjatësi.

Vllaznia në volejboll për femra do të ketë tashmë dy trajnerë të parë, Besnik Lishën dhe Adrian Mikopulin të cilët do ta stërvisin ekipin një javë njëri dhe një javë tjetri dhe një ndeshje njëri e një ndeshje tjetri. Fakti që bashkia ka marrë këtë vendim ka bërë që për trajnerin Artan Kalaja të mos miratohet shkresa e lënë 5 muaj pezull duke e larguar për herë të dytë.