AHMET OSJA/ Specialist në fushën e bujqësisë- “Mjeshtër i Madh”

“Asnjëherë nuk jam penduar që zgjodha bujqësinë. Edhe sot edhe 100 herë po të aplikojsha përsëri bujqësinë do të përzgjidhja.”

Ahmet Osja lindi në fshatin Luarz të Shkodrës më 25 qershor të vitit 1939. Eshtë profesor i shkencave bujqësore dhe mban urdhrin “Mjeshtër i Madh”, akorduar në vitin 2009 nga Presidenti i Republikës. Për afro 30 vjet punoi si ekspert dhe pastaj si drejtues në Institutin e Misrit dhe Orizit. Njihet për rolin e çmuar në krijimin e hibrideve të rinj të misrit si dhe evoluimin e teknologjisë së tij si dhe është autor dhe bashkautor i disa botimeve në lëmin e bujqësisë shqiptare.

Z. Osja, si ndihet një specialist i bujqësisë pas një përvoje të gjatë pune kur del në pension? A vazhdoni të kontribuoni në këtë fushë?

Faktikisht, njeriu ka jetën e tij të vazhdueshme, por edhe jetën e tij të punës, vjen një kohë, kur mbushet numri i viteve dhe njeriu pastaj fillon bën një jetë tjetër. Unë tani jam në pension. Nga vetë dëshirat e mia dhe lidhjet që kam në gjithë hapësirën shqiptare me fermerë të ndryshëm për probleme të bujqësisë, unë nuk jam i shkëputur. Mund t’ju them diçka: Shqipëria ka 36 rrethe; gjatë vitit që kaloi kam pasë fatin që këto rrethe t’i vizitoj 2-3 herë.

Pra, ju keni bërë një inspektim në të gjithë ven din. Si e vlerësoni gjendjen në të cilën ndodhet bujqësia në Shqipëri?

Është e rëndësishme të theksohet se është krijuar një psikozë që bujqësia nuk është më prioritet, përkundrazi jo vetëm që është prioritet, por bujqësia në Shqipëri është domosdoshmëri. Në çfarë shtyllash e mbështes unë këtë? Shqipëria ka kushte klimatiko-tokësore të tilla që i ofrojnë mundësi dhe resurse, përveç kësaj ka edhe një traditë shumë të lashtë, mundet të ketë 7-8 mijë vjet që ushtrohet bujqësi këtu dhe asnjëherë natyra nuk e ka zhgënjyer njeriun që është marrë me të, përkundrazi i ka krijuar atij vazhdimisht të ardhura për të rritur mirëqenien dhe për të ndikuar rrjedhimisht në rritjen e numrit të popullatës.

Si mendoni z. Osja, a vlerësohet sa duhet bujqësia në Shqipëri dhe çfarë peshe ka ajo në zhvillimin e vendit?

Jo, nga bujqësia nuk pritet shumë, përkundrazi tek ne bujqësia është domosdoshmëri, duhen trajnuar gjithë qytetarët shqiptarë dhe ne duhet t’i prodhojmë vetë ushqimet tona, meqenëse i kemi mundësitë. Duke prodhuar ne fitojmë shumë, për arsye se këto ushqime në masën 60-70% i blejmë jashtë dhe i blejmë me pare të fortë, me dollar ose me euro. Këto para duhet të përdoren për të krijuar vende pune jo për të blerë ushqime, të cilat kanë një afat 24 orë jo më tepër.

z. Osja, si erdhi përkushtimi juaj ndaj bujqësisë? Ishte diçka që ju imponua në kohën kur filluat studimet apo një përzgjedhje e juaja?

Edhe sot edhe 100 herë po të aplikojsha përsëri bujqësi do të përzgjidhja. E para, kam krijuar mundësi ta njoh mirë Shqipërinë, ta shkel atë dhe këtë ma ka ofruar pikërisht bujqësia; e dyta, është një profesion shumë njerëzor, asnjëherë nuk më ka qëlluar të jem në konflikte.

Ju njiheni si autori i disa studimeve dhe risive në bujqësi. Çfarë veçoni si më të rëndësishme nga gjithë kjo veprimtari e juaja në këtë fushë?

Arritjet gjithmonë janë kolektive, nuk janë individuale, sidomos në shkencë, pa bashkëpunim nuk mund të kesh arritje. Unë kam punuar për vite me radhë në Institutin e Misrit e Orizit, i cili zuri fill këtu në Shkodër, më 1 korrik 1971 dhe deri sot nuk e ka shkëputur veprimtarinë, e cila ka qenë mjaft e zgjedhur, mjaft bashkëkohore dhe mjaft rezultative. Fakti që edhe sot hibridet, që janë krijuar në Institutin e Misrit dhe të Orizit në Shkodër që para 20 vjetëve vihen në provë me hibride që vijnë nga firma shumë prestigjoze të Europës, nisur edhe nga kushtet e përshtatshme klimatiko-tokësore të vendit tonë, vijojnë të kultivohen me shumë rezultat nga fermerët, tregon se është një punë e mirëfilltë shkencore dhe është një sodisfaksion i madh jo vetëm për mua, por për gjithë atë kolektiv shkencor që punoi me përkushtim dhe dije.

Keni qenë Ministër i Bujqësisë dhe i Pyjeve në fillim të viteve 1990. E konsideroni këtë si kulmin e karrierës suaj?

Jo, çështja e emërimit si ministër është më shumë nga ana administrative. Unë më tepër në jetën time i vë rëndësi punës shkencore, punës në terren, kurse çështja e ministrit është më tepër një stad, nga i cili drejton dhe dërgon politika në instanca më të larta, siç janë Kuvendi etj. Për mua ishte e rëndësishme se kur shkova ministër nuk pata shumë vështirësi, se puna shkencore më kishte përgatitur aq shumë sa të qenit ministër nuk e shihja fare me shumë vështirësi, e shihja si normale.

Dhe çfarë veçoni si arritje në bujqësi në kohën kur ju ishit ministër?

Ekonomia e përqendruar kishte akumuluar shumë pasuri dhe bujqësia në vitet 1990 ishte shumë e pasur. Vetëm në fermën e Lushnjës kishte 14 mijë hektarë tokë dhe si e tillë ajo kishte një prodhim tepër të fuqishëm, rreth 400 ha ishin të mbjella me pambuk. Mendo se çfarë kulture luksi ishin këto, plus pastaj që kishte një sistem të drithërave të bukës, kishte një sistem tepër të fuqishëm të blegtorisë, kishte disa sektorë me 800-900 krerë lopë, por këto pasuri nuk u vlerësuan si duhet dhe i quajtëm të pavlefshme. Ne e kuptuam që kemi bërë gabime, por në fillim edhe këto gabime ndoshta falen, për arsye se kishte probleme të tjera edhe më të mëdha dhe njerëzit ndoshta e harruan që ka edhe një pasuri që duhet pasur kujdes.

Ju kemi parë edhe si pjesëmarrës në shumë aktivitete që i kushtohen mjedisit këtu në Shkodër. Duket që ndiheni mirë në këtë fushë.

E paraftyroj këtë si një tren: janë shinat, lokomotiva edhe vagoni. Kuptohet shina është vetë pasuria natyrore, dijet njerëzore, lokomotiva është komuniteti dhe vagoni i parë pas lokomotivës është mjedisi, domethënë jo vetëm për ne, por për gjithë botën.

Çfarë veçoni nga resurset natyrore të Shqipërisë?

Ne kemi një pasuri të madhe natyrore, të jashtëzakonshme. Mjafton vetëm një fakt, ujë. Ne derdhim në 7 detrat e Mesdheut 10% të ujërave të Mesdheut, në një sekondë mesatarisht në 7 detrat e Mesdheut derdhin 14 mijë m kub ujë. Kjo sasi uji kaq e madhe, që është një kontribut i jashtëzakonshëm, ka të veçantën e vet tek ne për arsye se gjithë shtetet e Mesdheut janë horizontal dhe ujërat rrjedhin të ndotura ose shumë të përdorura, kurse ne jemi pingul, jemi vertikal dhe burimet e ujërave tona janë mbi 900m mbi nivelin e detit, përjetësisht të pandodura, përjetësisht të pashtershme. Në këtë vështrim, çështja e mjedisit te ne merr një kuptim jo më nacional, por global, për arsye se ne ndihmojmë në mjedis jo vetëm veten tonë por edhe të tjerët. Një tjetër pasuri janë pyjet. Ne kemi 1 milion e 50 mijë ha pyje. Sot dihet se në 1 ha pyje fiksohet rreth 4.6 ton karbon gjatë vitit. Ky është një pastrim i madh i ajrit dhe sot Komuniteti Europian po mundohet ta nxisë këtë duke paguar shuma të konsiderueshme për pyjet. Ne nuk jemi futur ende në këto struktura, sepse duhet të jemi shumë të zotë që të aplikojmë me projekte dhe të përfitojmë fondet.

Me gjithë këto pasuri mjedisore që ju veçoni, ndotja e mjedisit në Shqipëri është në nivele problematike. Si e shpjegoni këtë?

Ne kemi një ndotje komunale, nuk kemi ndotje industriale, p.sh. shtetet e Europës janë të ndotura jo në rrugë komunale, ndotja atje është në shkallë shumë të lartë, e bën industria. Po sjell një shembull: Një nga fshatrat tona Vermoshi, administron 1 milion m kub dru, përveç kësaj ka edhe një lum që kalon përmes fshatit, që është në 900 m mbi nivelin e detit dhe ky lum derdhet në Detin e Zi. Mendo se çfarë resursesh kemi ne, të jashtëzakonshme, jemi të lidhur jo vetëm me Ballkanin, por edhe më gjerë.

Bëhen shumë veprimtari kushtuar ambientit, në Shkodër shpeshherë zhvillohen takime me palën malazeze për ruajtjen e liqenit të Shko drës si një pasuri e përbashkët, bëhen projekte, akordohen fonde, por pak ndikim duket se kanë. Si e shpjegoni këtë?

Para viteve ’90 nuk ka pasur hiç ose fare punë me mjedisin, për arsye se nuk ka pasur fare trajtim te komuniteti. Tani sidomos këto 10 vitet e fundit është bërë një punë jashtëzakonisht e fuqishme në drejtim të edukimit mjedisor. Sot shkruhet shumë për mjedisin, organizohen takime dhe kjo bën që shkalla e njohjes së mjedisit të jetë më e madhe, kjo për mua është një gjë e jashtëzakonshme. Kjo sasi ndihmash, parash që janë harxhuar këto 10 vitet e fundit është kaq e vogël në kuptimin e punës që është bërë, që po ta marrim dhe ta analizojmë të gjithë ne do të ishim kryelartë.

Ju thoni se kjo do të ketë një efekt të mëvonshëm?

Shumë, pa diskutim, p.sh.marrim liqenin e Shkodrës ka 3.7 miliard m kub ujë. Gjithë shteti i Izraelit ka 1miliard.7, d.m.th. vetëm liqeni i Shkodrës ka 2.2. herë ujë më shumë se gjithë Izraeli si shtet. Pra, mendo se ky ujë derdhet në det dhe vetëm Buna derdh 22 miliard e 400 milion m kub ujë për 365 ditë, nga 56 miliard që derdh në Nil. Duke i pasë këto shifra me të vërtetë vendi jonë është shumë i vogël në territor dhe i vogël në popullatë, por shumë i madh në resurse dhe kjo duhet të bëhet prezent, dhe për këtë duhet harxhuar shumë dhe jo vetëm ne, por gjithë Komuniteti Evropian.

Shkodra krahas liqenit ka detin dhe malet, që vlerësohen si resurse shumë të favorshme për zhvillimin e turizmit, por në fakt turizmi është një sektor shumë i pazhvilluar aktualisht. Çfarë e pengon zhvillimin e tij?

E para, duhet të kemi më tepër investime për rrugët; e dyta, ka mungesë informacioni (duhet punuar dhe investuar më shumë edhe në këtë drejtim); e treta, (që është shumë e rëndësishme) ne duhet të fillojmë t’i prodhojmë vetë ushqimet tona, pra duhet të fillojmë të kemi edhe anën tradicionale, p.sh. duhet të bëjmë shumë për emancipimin e pritësave, duhet të bëjmë shumë për menazhimin e gjithë këtyre vlerave që të jenë të mundshme të njihen nga të huajt. Shqipëria përveç turizmit natyror ka shumë të favorshëm edhe turizmin kulturor. Ne jemi një vend i banuar qysh herët, vetëm hapësira e Shkodrës mendohet të jetë e populluar mbi 7-8 mijë vjet, por mbi 350 vjet i ka shumë aktive. Vetëm kalaja e Shkodrës ka lind dhe ka rritë aty 17 mbretër e mbretëresha, 2500-2400-2200 vjet ma parë dhe këto fakte janë shumë të vlefshme.

Përveç se autor i disa botimeve në cv-në tuaj shënohet edhe autorësia e skenareve të dy filmave. Është një lidhje kjo mes bujqësisë dhe artit?

Ana vizive e prezantimit të gjithë këtyre pasurive është gjinia më e shtrenjtë, më e mundshme për ta bërë prezent. Në këtë këndvështrim kam bashkëpunuar, jam munduar që gjithnjë shumë probleme të bujqësisë t’i fus edhe në film dhe jam shumë i kënaqur se ato kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm qoftë në edukimin, si edhe në aftësimin e njerëzve për këtë dhe janë përdorë edhe si filma teknikoshkencorë.

A vazhdoni të botoni?

Unë vazhdimisht botoj dhe tani kohët e fundit marr pjesë në një gazetë “Kurora e gjelbër”, ku pothuajse në çdo numër kam rubrikën time. Tani pres të më dalë një shkrim për “Bjeshkët e nëmuna” për arsye se siç thamë edhe më parë ndër pasuritë që ka Shqipëria janë Alpet, por Alpet vetë janë ana gjeografike, kurse “Bjeshkët e nëmuna” janë ana etnografike. Mirëpo për nga ana gjeografike, Bjeshkët e nëmuna ne i kemi prezantuar në mënyrë korrekte ndërsa nga ana etnografike jemi në borxh se nuk kemi pasur shumë etnografë dhe jo shumë të përkushtuar që këto vlera kaq të mëdha shpirtërore të bëhen njohura. Në Bjeshkët e Nëmuna ka lindur “Eposi i kreshnikëve”. Janë 25 mijë vargje, kjo nuk është një pasuri vetëm e jona por është pasuri e gjithë këtyre popujve që janë rreth e përqark, dhe e gjithë Europës. Europa nderohet se diku këtu në brigjet e Detit të Adriatikut janë disa maje që quhen Bjeshkët e Nëmuna dhe ato kanë shërbyer për të nxitur shpirtin kulturor të këtij populli.

Me këtë kurrikulum të pasur dhe punë me përkushtim në gjithë këto vite, sot a ndiheni i vlerësuar?

Ndihem shumë i vlerësuar. Vlerësimi im më i madh janë miqtë. Unë kam shumë miq nga Vermoshi në Konispol. Këtë vit të ri pata shumë kartolina, telegrame. Më kanë ardhur 11 libra të shkruar nga Saranda, Tirana, Shkodra etj. Gjithë këto janë një pasuri e madhe, jam në borxh, mundohem të jem korrekt, të njoh mirësinë e tyre. Në botë ka mjaft mirëbërësa, por atyre u mungon karburanti, mirënjohja dhe njeriu këtu gabon duhet të jesh shumë mirënjohës ndaj secilit për secilën punë.

Intervistë me prof. Ahmet Osja, dhënë në vitin 2006 për BBC në Shqip. Marrë nga libri “Gjurmë Zërash”, të gazetarit Adrian Hoti!