
Galeria e Arteve në Shkodër vijon të mbetet një hapësirë e rëndësishme për promovimin e artit bashkëkohor, duke ofruar një alternativë kulturore për qytetarët dhe vizitorët.
Aktualisht, në ambientet e saj është çelur ekspozita “Aether”, një projekt që ndërthur elementë të grafikës dhe skulpturës, duke sjellë një përvojë të veçantë estetike. Ekspozita mban firmën e artistëve Arben Koliçi dhe Edi Meço, të cilët përmes veprave të tyre eksplorojnë raportin mes formës, hapësirës dhe perceptimit vizual.
“Aether” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 24 prill, duke ftuar të gjithë dashamirësit e artit ta vizitojnë.
Ndërkohë, Galeria e Arteve ka planifikuar një kalendar të pasur aktivitetesh në vijim, me ekspozita dhe ngjarje të tjera që synojnë të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit dhe të mbështesin artistët vendas dhe më gjerë. Ekspozita më e afërt do të jetë ajo e artistit Arben Golemi, e cila do të hapet më 30 prill.
Me një program të vazhdueshëm aktivitetesh, Galeria synon të mbetet një pikë takimi mes artistëve dhe publikut.





