Debati/ “Drejtohu atyre injorantave të tu”, plas mes Suad Licit dhe Arbis Vjerdhja: A pranon të vijë edhe Akademia?

Shpërndaje

Në ditën e sotme është zhvilluar edhe mbledhja e Asamblesë për klubin e futbollit të Vllaznisë. Në trajtesën kryesore ishte miratimi i buxhetit për skuadrën e Vllaznisë,  ku i është dhënë drita jeshile pas shumë debatesh.

Një prej pjesëtarëve të asaj Asambleje dhe që ka ngritur zërin ka qenë Arbis Vjerdhja. Duke folur në emër të Akademisë së Vllaznisë, Arbisi ka treguar të gjitha vështirësitë që hasin grupmoshat e Shkodrës. Madje duke kërkuar edhe pjesëmarrjen e tyre në një ballafaqim për të folur rreth problemeve. Një moment i nxehtë debati ku ka tejkaluar disi dhe që Suad Lici nuk e ka pranuar kurrsesi, ishte tema e parave të mbledhura nga biletat.

Arbis Vjerdhja: “Meqënëse nuk paguhen sportistat për punën e pakryer, si paguhet puna e pabërë e  drejtorit sportiv që vazhdon punën si trajner në një shtet tjetër? Nuk e di se përse në mbledhjen e Asamblesë nuk ka përfaqësues të akademisë së Vllaznisë. Ata deklarojnë haptaz që kanë 7 vite që na i marrin paratë dhe nuk financojnë as bazën materiale. Dy herë për “Champions League” kanë ardhur uniformat me fonde të UEFA-s dhe tani ia kanë blerë prindërit. Si ka mundësi që u merren paratë akademisë? Kjo është akuzë që vjen direkt nga ata dhe jo nga mua. Më thanë se në çdo mbledhje Asambleje nuk na kanë lejuar kurrë të jemi pjesëmarrës”

Suad Lici: “Akademia është shumë e fryrë në strukturë, që ti kemi gjërat e qarta. Mos harroni që ne kemi shpenzimet e energjisë elektrike, të transportit. Shpenzimet shkojnë gati dyfish. Administrata është e fryrë aty dhe nuk kemi nevojë të kemi nga tre drejtuesa dhe dy trajnera në çdo grupmoshë. Këto kanë qenë probleme të mbartura”.

Arbis Vjerdhja: “Ju kam drejtuar një letër me disa pyetje dhe nuk më je përgjigjur”.

Suad Lici: “Kemi qenë në situatë të jashtëzakonshme”

Arbis Vjerdhja: Në situatë të jashtëzakonshme kam qenë edhe vetë, por ajo letër e imja ka shumë kohë që është dërguar. Nëse nuk të ka ardhur, është problemi i Bashkisë. Dua të më përgjgjesh qetësisht, në një mbledhje të Komisionit të Sportit dhe të jashtëzakonshme. Dua që të kem edhe drejtuesit e akademisë aty. A ma jep fjalën që vjen?

Suad Lici: “Do bëj gjithçka sipas legjislacionit, nuk e shkel ligjin unë. Nëse ju kërkoni, do e studiojmë dhe ta shohim”

Arbis Vjerdhja: “Me pak fjalë nuk do të vish, sepse një këshilltar i Bashkisë nuk ka sesi të bëj një propozim për të shkelur ligjin. Nuk të kërkoj të shkelësh ligjin, por të jetë edhe Akademia dhe do të lindin shumë pyetje.

Suad Lici: “Po nuk është muhabet kafesh këtu, që a ma jep fjalën. Më jep shkresën dhe të përgjigjem”.

Arbis Vjerdhja: “Po nuk më je përgjegjur me shkresë. Kam 5 muaj”.

Suad Lici: “Të kërkoj falje nëse të jam vonuar”.

Arbis Vjerdhja: “Jo mo jo, nuk ka problem. Pyetje është për atë 150 milionshin të biletave në 5 ndeshje”.

Suad Lici: “Jo për 5 ndeshje, më vjen keq. Është thënë viti”.

Arbis Vjerdhja: “Po 5 ndeshje janë ato”.

Suad Lici: “Po mos i bëj këto gjëra me mua tani. Mos më bëj injorant. Me injorancën tënde drejtohu atyre injorantave të tuaj. Mos më thuaj mua 5 ndeshje”. /Sport Ekspres/

Shpërndaje