Paketa e dytë e ndihmës ekonomike, procedura e ankesave për ata që iu refuzua

Shpërndaje

Sipërmarrësit dhe punonjësit të cilët nuk përfituan dot nga paketa e dytë e ndihmës financiare të qeverisë mund t’i drejtohen faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ministrja e Financave Anila Denaj njoftoi në Facebook se të gjithë ata që mendojnë se janë përfitues dhe se kërkesa e tyre është refuzuar, apo nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë, kanë një mundësi tjetër.

“Për qytetarët në procesin e përfitimit të Paketës së Dytë Anti-COVID. Nga sot lehtësojmë procesin për verifikimet e individëve. Çdo punëmarrës që mendon se mund të jetë përfitues i Paketës së Dytë mund të plotësojë Formularin 2 të Ankesës në adresën [email protected]. Formulari duhet të plotësohet nëse biznesi ku ju punoni nuk ka bërë aplikimin për Paketën,” – shkroi Ministrja Denaj.

Janë dy lloje formularësh, një për sipërmarrësit dhe një për individët – kliko këtu për t’u informuar më shumë.

Duhet theksuar se ankesa ka nevojë për qartësi në shprehjen e problematikës së hasur si dhe duhet me patjetër numri i ID-së së punonjësit që ka pretendime dhe NIPT-in e biznesit.

Paketa e dytë e ndihmës ekonomike u hartua në mes të muajit prill dhe përfshin të gjitha kategoritë e bizneseve dhe punonjësit që nuk ishin pjesë e paketës së parë.

Kjo paketë parashikon 40 mijë lekë ndihmë ekonomike për bizneset që u detyruan të mbylleshin nga data 9 mars për shkak të epidemisë së Covid-19.

Shpërndaje