Grupi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që u dërguan në Itali janë përballur me një eksperiencë të keqe në mbyllje të misionit të tyre atje.
Siç shkruan “Corriere“, mjekët dhe infermierët shqiptarë kanë festuar mbylljen e misionit në Itali me muzikë dhe birra, por kjo ka bërë që të marrin gjoba, të cilat shkojnë deri në 500 euro.
Shqiptarët u denoncuan për shkak të festës dhe zhurmave në një hotel në Breshia.
Në lidhje me këtë ka shkruar edhe portali FanPage, sipas të cilit zhurma e shkaktuar nga shqiptarët nuk i ka pëlqyer administratorëve të hotelit, të cilët i kanë denoncuar në polici.
Krahas gjobave, dy prej tyre janë paditur për rezistencë ndaj policisë.
“Ata vendosën të festojnë ditën e fundit të punës dhe kthimin në atdhe me një festë në njërën nga dhomat e hotelit: kjo nuk kaloi pa u vënë re nga pronari i hotelit në Breshia, ku po qëndronte ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, kështu që brenda pak minutash, forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe i gjobitën dhe i paditën, pasi disa shfaqën rezistencë”, shkruan portali duke theksuar se stafi shqiptar mbërriti atje më datë 29 mars me qëllim ndihmën ndaj mjekëve italianë.
“Nuk do të jetë një histori me fund të lumtur për personelin shëndetësor që mbërriti në Itali 29 marsin e shkuar për të ndihmuar spitalet lombardë në vështirësi. Ardhja e tyre ishte përshëndetur me entuziazëm jo vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët”, shkruan portali.
“Për fat të keq, disa nuk arritën të zbatojnë rregullat e bllokimit dhe shkuan në festime. Në fakt dhjetë prej tyre u gjetën në një dhomë hoteli në Breshia. Mes tingujve të muzikës dhe birrës ata kishin filluar festimet. Por gjithçka përfundoi kur erdhi policia dhe gjobiti të pranishmit. Gjërat u komplikuan kur disa prej mjekëve reaguan keq ndaj gjobave”, vijon portali.