Rreth 12 shtete të BE-së do t’i bëjnë sot kërkesë Brukselit që të pezullojnë përkohësisht ligjin europian që urdhëron kompanitë ajrore t’ua kthejnë paratë udhëtarëve për fluturimet e anuluara.
Franca dhe Holanda janë nismëtaret e kërkesës që pritet të bëhet gjatë takimit të ministrave europianë të transportit.
Lëvizja vjen pas zemërimit të shfaqur nga shumë udhëtarë, të cilëve u është anuluar fluturimi për shkak të masave kufizuese nga COVID-19 dhe në vend të kthimit të parave u janë dhënë kupona shërbimi.
Sipas ligjeve europiane, udhëtarëve duhet t’u rikthehen plotësisht paratë e biletës në rast se fluturimi anulohet.
Por kjo lëvizje kërkon ta pezullojë ligjin përkohësisht, për t’u dhënë kompanive ajrore më shumë mundësi për t’u rimëkëmbur.