61 mijë punonjës dalin nga skema e sigurimeve në mars-prill nga kriza e Covid 19; Numri i të papunëve në vend rritet me 37%

Shpërndaje

Frenimi i aktivitetit ekonomik për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 po jep pasoja të dukshme te punësimi. Qindra ndërmarrje po heqin nga skema e sigurimeve punonjësit e tyre, ose po mbyllin aktivitetet, duke rrezikuar shtimin e ndjeshëm të numrit të të papunëve në vend.

Drejtoresha e tatimeve, Delina Ibrahimi tha në intervistë për “Monitor Ekonomi” se deri tani janë larguar nga skema e sigurimeve shoqërore 61 mijë punonjës. “Ne kemi bërë një kalkulim të përgjithshëm të atyre që kanë dalë nga skema e sigurimeve shoqërore, të cilët do të mbështeten nga paketat. Deri në datën 10 prill ky numër ka qenë rreth 57 mijë, janë njerëz të cilët kanë përfituar ose nga paketa e pare, pasi ajo mbështeste jo vetëm të punësuarit aktual, por edhe të punësuarit e larguar nga skema për shkak të COVID-19, por do të mbështeten edhe nga paketa e dytë gjerësisht. Ndërkohë pas datës 10 prill, ku janë të punësuar që nuk mbulohen nga skema e mbështetjes që ka pëgatitur qeveria, dhe nga kalkulimet janë 4 mijë të larguar”.

Sa rritet numri i të papunëve

Sipas INSTAT, në fund të 2019-s, në sektorin privat jo bujqësor ishin gjithsej të punësuar 515 mijë persona, ndërsa që kur fillloi kriza e Covid-19 janë larguar 61 mijë persona, duke bërë që numri I të punësuarve zyrtarisht të bjerë me 12%.

Ata që kanë dalë nga skema e sigurimeve i janë shtuar numrit të të papunëve në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen Anketës së Forcave të Punës, në fund të vitit 2019 në vend kishte rreth 160 mijë të papunë.  Duke i shtuar dhe 61 mijë personat që kanë dalë nga skema, numri i të papunëve deri në 20 prill ka arritur 221 mijë, me një rritje prej 37%, në krahasim me fundin e 2019-s.

Janë dhe me dhjetëra punonjës në biznesin e vogël, që dolëm automatikisht pa punë për shkak të mbylljes së bizneseve në bazë të një liste të Ministrisë së Shëndetësisë, që ndaloi aktivitetet e tregtimit me pakicë, përveç atyre ushqimore, shërbimeve si dhe baret e restorantet. Numri i tyre vlerësohet në rreth 60 mijë dhe ata janë përfitues të ndihmës financiare prej 26 mijë lekësh për tre muaj.

Pjesa më e madhe e aktiviteteve po hapet gradualisht dhe për momentin të mbyllura janë vetëm 35 prej tyre, kryesisht baret e restorantet (përveç shërbimit delivery), shërbimet për fytyrën e trupin etj.

Por, edhe në aktivitetet e hapura, konsumi pritet të jetë minimal, duke rrezikuar falimentin e tyre dhe shtimin e radhëve të të papunëve.

Shpërndaje