
Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime për shpalljen e disa zonave në bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas si “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, në zbatim të ligjit i njohur si “Paketa e Maleve”.
Sipas vendimit, në Bashkinë Fushë-Arrëz janë shpallur shtatë zona prioritare që përfshijnë fshatrat Blerim, Trun, Qebik, Dardhë, Fierzë, Kokdodë, Aprip-Guri, Porav, Arst, Mëzi, Fushë-Arrëz, Miçaj, Lumbardhë, Tuç, Iballë, Berishë e Sipërme, Mërtur, Kryezi, Qafë-Mali dhe Lajthizë. Sipërfaqja totale e këtyre zonave arrin në mbi 19 mijë hektarë.
Ndërkohë, në Bashkinë Përrenjas janë shpallur gjashtë zona prioritare, të cilat përfshijnë fshatrat Shqiponjë, Stravaj, Qukës Skënderbej, Bërzeshtë, Fanjë, Dritaj, Farret, Stranik, Skroskë, Pishkash, Sutaj, Sopot, Qukës Shkumbin, Gurrë dhe Karkavec. Sipërfaqja e përgjithshme e këtyre zonave është mbi 6 500 hektarë.
Sipas vendimeve të qeverisë, në këto zona do të lejohen dhe do të nxiten aktivitete me fokus: zhvillimin ekonomik, zhvillimin industrial dhe zhvillimin turistik.
Për zbatimin e vendimeve janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si edhe bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas.
Vendimet do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.




