Çfarë janë Sanksionet CAATSA dhe si do t’i vijë në ndihmë Turqisë heqja e tyre nga ShBA-ja…

Shpërndaje

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se do të heqë sanksionet CAATSA ndaj Türkiyes.

Duke folur para gazetarëve, para bisedimeve me dyer të mbyllura me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në Ankara, në prag të Samitit të NATO-s 2026, Trumpi tha se ka ardhur koha që sanksionet të hiqen, pasi ShBA-ja nuk dëshiron t’i vërë sanksione vendeve mike.

Ligji “Countering America’s Adversaries Through Sanctions Act” (CAATSA) është një ligj amerikan i vitit 2017, i hartuar për të penguar transaksione të rëndësishme me sektorin e mbrojtjes dhe të inteligjencës të Rusisë.

Në dhjetor të vitit 2020, ShBA-ja vendosi sanksione ndaj Türkiyesë në bazë të CAATSA-s, si pasojë e blerjes nga ana e Ankarasë të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Në çfarë konsistonin sanksionet?

Duhet theksuar se sanksionet amerikane sipas CAATSA-s nuk kanë synuar kurrë forcat e armatosura turke apo ekonominë e gjerë të vendit.

Në vend të kësaj, sanksionet ishin të drejtuara kundër Kryesisë së Industrive të Mbrojtjes (SSB), agjencia shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e industrisë së mbrojtjes së vendit; prokurimin e teknologjisë ushtarake dhe modernizimin e ushtrisë turke, si dhe kundër disa zyrtarëve të lartë.

Sanksionet përfshinin ndalimin e lëshimit të licensave dhe autorizimeve amerikane për eksport drejt SSB-së. Në mënyrë të ngjashme, ato kufizonin institucionet financiare amerikane në dhënien e kredive ose huave ndaj SSB-së mbi 10 milionë dollarë brenda një periudhe 12-mujore. Gjithashtu përfshihej edhe ndalimi i mbështetjes nga Banka Eksport-Import e ShBA-së për eksportet drejt SSB-së. Autoritetet amerikane detyroheshin gjithashtu të kundërviheshin huave nga institucionet financiare ndërkombëtare që mund të përfitonin SSB-në. Zyrtarëve të përmendur në listë u ishin vendosur edhe kufizime vizash.

Këto masa erdhën pas përjashtimit të mëparshëm të Türkiyes nga programi i avionëve luftarakë F-35 në vitin 2019.

Türkiye ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se blerja e sistemit S-400 ishte një vendim sovran për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore. Zyrtarët turq i kanë dënuar sanksionet si të padrejta dhe si një sulm i hapur ndaj sovranitetit kombëtar, duke theksuar se ato buronin pjesërisht nga presione lobuese dhe jo nga shqetësime reale sigurie.

Këto kufizime, në fakt, përshpejtuan zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes në Türkiye. Me mbi 500 kompani aktive në sektorët e mbrojtjes dhe aviacionit, dhe me sisteme ajrore pa pilot të nivelit botëror tashmë në prodhim, Ankaraja e ktheu sfidën në një mundësi për të reduktuar varësinë nga burimet e jashtme për nevojat e saj ushtarake.

Si do t’i vijë në ndihmë Ankarasë heqja e sanksioneve?

Sipas analistëve, heqja e këtyre sanksioneve do t’i sjellë Türkiyes përfitime të rëndësishme.

Së pari, ajo do të mundësojë rikthimin e Türkiyes në programin F-35. Kundërshtimi amerikan kishte të bënte me faktin se përdorimi nga ana e Türkiyes i sistemit rus S-400 do të rrezikonte avionët e prodhuar në ShBA, duke i bërë ato të papërputhshëm me sistemet e NATO-s. Megjithatë, Türkiye ka mbajtur qëndrimin se nuk ekziston asnjë konflikt real mes dy sistemeve, duke propozuar edhe krijimin e një komisioni për të studiuar çështjen. Heqja e sanksioneve do t’i mundësojë Ankarasë blerjen e këtyre avionëve të avancuar, duke ndihmuar në modernizimin e Forcave Ajrore turke me kapacitete të gjeneratës së pestë.

Së dyti, heqja e kufizimeve ndaj SSB-së do të hapë rrugë të reja për bashkëpunimin e Ankarasë me ShBA-në në fushën e mbrojtjes. Türkiye do të rifitojë qasje në licenca eksporti dhe mbështetje financiare amerikane, çka do të lehtësojë prokurime të tjera ushtarake, transferime teknologjie dhe projekte të përbashkëta.

Së treti, përfundimi i sanksioneve CAATSA do të heqë një pengesë të madhe në marrëdhëniet turko-amerikane, duke hapur rrugën për një bashkëpunim strategjik më të thellë. Për më tepër, kapërcimi i këtij ngërçi pritet të forcojë jo vetëm Türkiyen, por edhe NATO-n në tërësi.

Shpërndaje