
Galeria ODA në Shkodër mirëpriti të shtunën mbrëma ekspozitën personale “Zëri i ngjyrës” të piktorit Bashkim Mexhiti, një prej figurave të njohura të artit bashkëkohor shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Përmes kësaj ekspozite, artisti u prezantua për herë të parë para publikut shkodran me një përzgjedhje veprash që pasqyrojnë eksperiencën dhe rrugëtimin e tij të gjatë në art dhe akademi. Aktiviteti shënoi një tjetër ngjarje të rëndësishme në kalendarin kulturor të Galerisë ODA, e cila prej vitesh promovon artin bashkëkohor dhe artistët e rajonit.
Bashkim Mexhiti njihet jo vetëm për krijimtarinë e tij artistike, por edhe për kontributin në arsimin e lartë, si një nga themeluesit e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës. Ai ka qenë pjesë e jetës akademike që prej viteve ’90, duke ndikuar në formimin e shumë brezave të rinj artistësh.
Gjatë karrierës së tij, Mexhiti ka marrë pjesë në një numër të madh ekspozitash personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit. Punimet e tij janë prezantuar në disa prej qendrave të njohura artistike europiane dhe botërore, përfshirë Parisin, Berlinin, New York-un, Zagrebin, Selanikun dhe Shkupin.
Ekspozita “Zëri i ngjyrës” fton vizitorin në një komunikim të drejtpërdrejtë me artin, ku ngjyra, forma dhe kompozimi krijojnë hapësira të hapura interpretimi dhe reflektimi. Në ambientet e Galerisë ODA, publiku pati mundësinë të njohë më nga afër botën krijuese të artistit dhe qasjen e tij estetike.
Ndër vite, Galeria ODA është konsoliduar si një nga hapësirat më aktive të artit bashkëkohor në Shkodër, duke sjellë ekspozita dhe artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të rajonit. Edhe ekspozita e Bashkim Mexhitit vjen në vazhdën e këtij misioni, duke forcuar rolin e Shkodrës si një qendër e rëndësishme e shkëmbimit kulturor dhe artistik.










