
Vllaznia vazhdon të konfirmojë traditën e saj në sportin e mundjes, duke regjistruar rezultate të shkëlqyera edhe në Kupën e Shqipërisë për grupmoshat U15 dhe U17.
Sportistët kuqeblu zhvilluan paraqitje të mira në të dyja kategoritë, duke siguruar medalje të shumta dhe renditje të larta ekipore.
Në kategorinë U15, Imran Bushati (38 kg), Ali Toro (57 kg), Unejs Hafizi (62 kg) dhe Jasin Cekaj (85 kg) fituan medalje argjendi, ndërsa Amar Toro (41 kg), Omer Fani (48 kg) dhe Geraldo Gurini (75 kg) u renditën në vendin e tretë. Yusuf Işçi (44 kg) dhe Eriglen Dedaj (68 kg) e mbyllën garën në vendin e katërt. Falë këtyre rezultateve, Vllaznia U15 u klasifikua në vendin e tretë në renditjen ekipore.
Edhe ekipi U17 pati një paraqitje shumë të suksesshme. Rejan Kosi (45 kg), Eden Zhuri (55 kg) dhe Eglis Mhillaj (65 kg) u shpallën kampionë në kategoritë e tyre, duke fituar medaljet e arta. Ndërkohë, Alvaro Malaj (92 kg) dhe Kevi Kiri (110 kg) siguruan medalje bronzi.
Me këto rezultate, Vllaznia U17 u rendit në vendin e dytë si ekip, duke dëshmuar potencialin dhe cilësinë e brezit të ri të mundësve shkodranë.




