
Policia ka vendosur në pranga mbrëmjen e sotme Moisi Habilajn, i cili ishte shpallur në kërkim pas dënimit të tij për trafik të lëndëve narkotike.
Gazetarja Flutura Tota duke iu referuar burimeve nga policia raportoi për RTSH se Habilaj është lokalizuar në zonën e Borshit në jug të vendit, ku më pas është vendosur në pranga nga uniformat blu.
Habilaj është shpallur fajtor për trafikim droge në katër raste përgjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe Itali.
Ai u dënua me 15 vite burgim nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i ulet në 10 vite. Ndërsa në janar të vitit 2021, ai u arratis nga arresti shtëpiak në Itali pas një takimi me bashkëshorten, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kush është Moisi Habilaj
Moisi Habilaj nga Vlora, është i njohur kryesisht për përfshirjen e tij në çështjen e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, veçanërisht mes Shqipërisë dhe Italisë. Ai u identifikua nga autoritetet italiane si një nga drejtuesit e një grupi të strukturuar kriminal.
Moisi Habilaj njihet si kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe emri i tij u bë i njohur gjerësisht pas operacionit të policisë italiane në tetor 2017.
Habilaj u arrestua në Catania së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë dhe italianë. Prokuroria italiane e akuzoi si kokë të një grupi që dyshohej se kishte trafikuar mbi 3.5 tonë kanabis nga Shqipëria drejt Italisë gjatë disa viteve, me fitime vjetore të vlerësuara rreth 20 milionë euro. Grupi akuzohej gjithashtu për trafik armësh.
Hetimet italiane kishin zgjatur disa vite, me përgjime dhe prova të tjera. Habilaj u konsiderua si një nga figurat kryesore të grupit, së bashku me persona si Meridian Sulaj etj.
Në Itali: Moisi Habilaj u dënua nga Gjykata e Katanias me rreth 15 vite burg (15 vjet e 5 muaj e 10 ditë sipas disa burimeve) për trafik narkotikësh dhe grup kriminal të strukturuar. Ai ka kaluar periudha në burg dhe më vonë në arrest shtëpiak. Në janar të vitit 2021, ai u arratis nga arresti shtëpiak në Itali pas një takimi me bashkëshorten, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Posaçme (GJKKO) e ka gjykuar për veprat e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.
Ai është dënuar me 10-15 vite burg në disa vendime, me reduktime për gjykim të shkurtuar. SPAK ka kërkuar konfiskim pasurish për të dhe anëtarë të tjerë të familjes (si apartamente, garazhe, truall në Vlorë). Që nga arratisja e tij në 2021, Moisi Habilaj ka qenë objekt i kërkimeve ndërkombëtare.




