
Nga Zenepe Dibra
NJË UDHËTIM INTERESANT PËR NË QABEN E SHEJTË
Shkodranët kanë mbajtur ditare kronologjike ku janë paraqitur ngjarje të kohës. Por fatkeqësisht shumë prej tyre janë zhdukur nga pasaradhësit e tyre duke i bërë një dëm historisë. Një nga këto është edhe kronika e Hasan Koplikut i cili merr një udhëtim të guximshëm për të shkuar në Qaben e Shenjtë.
Hamdi Bushati në librin e tij “Shkodra dhe motet” na jep nje ngjarje tepër interesante për një udhëtim në Mekë të Hasan Koplikut(Xhabia), si një devocion fetar për të kryer një obligim.Me 23 nëntor të vitit 1734 nisen prej Shkodre bashkë me shërbëtorin e tij Sulejman Vilen e me shokët Haxhi Muratin, të birin e Ali Berberit, Haxhi Bajramin dhe nipin e tij, Sulejmanin e Kurt Begut , Haxhi Ali Marshejin, Haxhi Ali Berdicen dhe Haxhi Mehmet Papen, krejtësisht 8 vetë.
Sipas një anëtari të familjes Kurtabegu, që ka gjetur edhe dokumentin e personave që kanë shkuar në atë vit në Qabe me kuaj, rezulton se grupit i është bashkuar edhe ulqinaku Sulejmani, i nipit i Kurt Begut, i cili ka kryer detyrën e shejtë duke marrë titullin Haxhi.
Nga burimet arkivale të shek. XVIII, Koplikejt përmenden si agallarë pronarë barakash. Ndër to Hasan Kopliku ishte pronar pasanik, fetar i devotshëm dhe bamirës ndaj të varfërve. Ky ka lënë disa shënime kronologjike të ngjarjeve të vlefshme për historiografinë e qytetit dhe midis të tjerave edhe një fletore ku tregon gjithçka për këtë udhëtim të rrezikshëm, të lodhshëm, me plot sakrifica që ka bërë përë të shkuar në Qaben e shenjtë. Nga ana tjeter ky udhërtim dhe mbajtja e shënimeve në një fletore ka shërbyer për të nxjerrë të dhëna mbi etnografinë, gjendjen e komunikacionit të asaj periudhe jo vetëm të Shqipërisë por edhe vendeve të tjera. Udhëtimi i tij nga Shkodra në Stamboll zgjati një muaj. Pastaj udhëtimi vazhdoi nga Stambolli në Mekë dhe sipas këtyre shënimeve prej Stambollit deri në Mekë ka zgjatur 45 ditë.
Në Yshkydar ka qëndruan katër ditë. Në fletore janë shënuar të gjitha vendet ku kanë kaluar , sa ditë kanë ndenjur, shpenzimet për ushqim, për tagjinë e kuajve, etj.. Kronika e shënuar është deri pa hyrë në Mekë. Po sipas këtyre shënimeve prej Stambollit deri në Mekë ka bërë 45 ditë. Pra gjithsej janë 75 ditë udhëtim më kuaj nga Shkodra në Mekë.
Sipas analizës që bën H. Bushati, konkluzioni i këtij udhërtimi vajtje ardhje i Hasan Koplikut me shokë deri në vendin e destinuar në Mekë e bën për 5 muaj(duke përfshirë qëndrimin), por në Shkodër ai kthehet mbas dhjetë muajve, ku siç duket vonesa është shkaktuar nga ndalja në disa qytete për të blerë plaçka.
Ky udhëtim ishte një inisiativë tepër e guximshme për të shkuar në Qaben e Shenjtë me kuaj në një udhëtim prej afro 3000 km, duke vendosur rekord të hipizmit shqiptar.
Një pelegrinazh i shkuarjes në Qabe të një grupi shkodranësh që i përket vitit 1936, është dokumentuar në disa foto të ruajtura në arkivin e Irfan Mukës. Janë një grup shko¬dranësh ndër të cilët Elias Muka, Halit Bilali, Hafiz Hasan Kaduku, Ibrahim Kaduku, Sul Simiçija, etj. që janë nisur më 25.01. 1936 nga Shkodra ku kanë mbërritur në Durrës për të vazhduar udhëtimin me anije e më tej deri në Mekë.
FOTO 1Përcjellja e besimtarëve shkodranë në Peligrinazhin e Mekës,janar 1936 (Arkiv i Irfan Mukës);
FOTO 2 Rruga që ndoqën pelegrinët myslimanë për të shkuar në Mekë





