
Nga Zenepe Dibra
Kanë qenë të shumtë por fatkeqësisht shumë kanë mbetur të paidentifikuar. Të gjithë shkodranët u janë mirënjohës çdo shqiptari që kontriboi për Shkodren, që e kanë ndihmuar në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Mirënjohja ka qenë dhe asht veti e karakterit të shqiptarit dhe shkodrani në veçanti. Më vjen shumë mirë për postimin e bërë para disa ditësh për Luften për Mbrojtjen e Shkodrës ku u përgjigjen dhe dhanë materiale shtesë shumë të tjere nga Shkodra, Kraja, Ana e Malit; të tjere nga Berati dhe Vlora kanë treguar që edhe nga këto dy qytete ka patur pjesëmarrës por natyrisht duhet identifikimi i tyre.
Unë do permend disa të tjerë, por gjithmonë ekziston mundësia qoftë e shtesës së informacionit, qoftë edhe korigjimi,
*“I përjetshëm do mbetet në historinë e kombit dhe akti i sublimitetit të shkodranëve në Kullen e Barotit. Oso Kuka së bashku me shokët e vet, përfshirë dhe nipin 15 vjeçar për të mos u dorëzuar malazezëve, u vetëflijua duke hedhur Kullën e Vraninës me barot në erë . Por në këtë grup flijimi ishin edhe tre heronj nga jugu i Shqipërisë: Musa Golemi, Myrto Zylfoja, Muhamet Myzeqari.
HODO NIVICA(1805-1852)
Prijës popullor që udhëhoqi kryengritjet antiosmane të vitit 1847 kundër reformave të Tanzimatit, krahas Zenel Gjolekës, Çelo Picarit e Tafil Buzit në Shqipërinë e Jugut. Lindi në Nivicë të Tepelenës. Në v. 30 dhe 40 të shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kryengritëse në Shqipërinë e Jugut kundër politikës centralizuese osmane. Ishte një nga udhëheqësit e kryengritjes së v. 1847 dhe komandant i forcave kryengritëse në frontin e Delvinës dhe në qafën e Peshkëpisë. Pas shtypjes së kryengritjes u internua në Stamboll dhe më pas qeveria osmane e fali me krerët e tjerë të kryengritjes dhe e angazhoi në rradhët e saj për t’u bërë ballë sulmeve malazeze në Shkodër. Në këtë kohë kishte graden kolonel dhe ishte caktuar komandant kufiri. Për virtutet e mira, si trim dhe luftëtar i zoti la një përshtypje dhe simpati shumë të mirë në Shkodër. Ishte kalorës i rrallë dhe është dalluar edhe në festat e vrapimit që beheshin në Shkodër, për shkak të shkathtësisë dhe akrobacive që bënte me kaline tij “Dervish”. U vra në Shpuzë të Podgoricës, duke luftuar kundër forcave malazeze në mbrojtje të tokave shqiptare të hapësirës shkodrane.
Çerçiz Topulli së bashku me patriotin Mustafa Qulli ishin në Shkodër për t’ju bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez. Në prill të 1915 në Barbullush të Shkodrës konfrontohen me një grup të armatosur që kërkojnë t’i vrasin. Ata shpëtojnë duke kërkuar të dorëzohen tek Hasan bej Bushati, krahinor i atij vendi me qëndër në Bushat, i cili i përcjell në Shkodër. Arrestohen më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtojit nga një togë malazeze rrugës për në Cetinë. Çerçiz Topulli me Mustafa Qulli u pushkatuan në fushë të Shtojit afër katundit Golem, prej një toge ushtarake malazeze, komanduar nga gjeneral Veshoviq.
Për 20 vjet eshtrat e dy heronjve mbetën pa varr, në Shtoj të Shkodrës, deri sa u zbuluan në vitin 1936 nga Javer Hurshidi, mik fëminie me Çerçizin dhe prefekt i Shkodrës aso kohe.
Populli i Shkodrës i bëri një përcjellje madhështore dy patriotëve që ranë në tokën e Shkodrës martire nga dora malazeze. Fjalët e mbajtura nga Padër Anton Harapi dhe Ernest Koliqi me këte rast, do të mbeten monumente të mirënjohjes për këta patriotë të Jugut, fjalë atdhedashurie dhe frymëzimi për veprën e tyre patriotike:
“E ju, o ju Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit,- tha Koliqi, – nisnju kah vendet e jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem”. Këto fjalë do të ishin një kushtrim lufte për të ngjallur zemrat e shqiptarëve.
Zenel Gjoleka(-1852) nga Kuçi i Tepelenës ishte në katërshen e famshme të kapedanëve të Shqipërisë së Jugut në gjysmën e parë të shekullit të XIX. Zenel Gjoleka bashkë me Tafil Buzin, Rrapo Hekalin dhe Çelo Picarin drejtuan lëvizjet e mëdha popullore që i paraprinë Rilindjes Kombëtare e që u bënë shqetësim për Portën e Lartë. Zenel Gjoleka ishte pjesëmarrës në luftën kundër ushtrisë malazeze në pjesën veriore të Shqipërisë . Ai u vra në një pritë. U vra në shkallën e Kerstiqit afër Podgoricës. Sipas historianit Perparim Rexhepaj, koka e Zenel Gjolekës është akoma në muzeun e Cetinës në Mal të Zi.Kurse sipas Wikipedia u varros nga bashkëluftëtarët e tij, afër kullës së Oso Kukës ku ishte varri i tij.
*Nga historiani Gazmend Shpuza kemi shkrimin që MUSTAFA, XHELALEDIN Pasha (Kostandin Bozhenski) (1826-1876) ishte atdhetar revolucionar polak dhe intelektual i shquar turk, komandant në Luften e Shpuzës, ku u plagos dhe më pas vdiq. Ai ka një biografi të pasur të gjendur sot në Fjalorin enciklopedik të hapësirës shkodrane, por këtu do mjaftohemi me aktin e tij. Në vitin1871 e nxjerrin të ri në pension. Në vitin 1875 në gjithë Ballkanin shpërthyen kryengritje të vazhdueshme antiosmane dhe gjenerali në pension thirret përsëri në shërbim. Është shumë interesant që mbrojtjen e kalasë së Shpuzës, turqit ia besuan Xhelaledin Pashajt. Merr pjesë në luftimet për mbrojtjen e Shpuzës nga agresorët malazezë.Nga plagët e marrura vdes pas një viti. Varroset pranë një xhamije përkrah nënprefektit të Shpuzës, Selim Haxhi agajt (Shpuza), të rënë edhe ai në këto luftime.
Shënim: Nipi i Xhelaledin pashaj, Nazmi Hikmet është një nga poetët e shquar të Turqisë.
Sali Nivica (1891-1920), megjithëse nuk u vra me armë në dorë, por ai u vra në Shkodër për rrethana të pasqaruara . Por fakt është se ai ishte publicist demokrat, me një aktivitete të jashtëzakonshëm atdhetar. Pa u zgjatur në biografinë e tij shumë patriotike në Shkodër ishte ndër organizatorët e krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918) dhe anëtar i kryesisë së tij, prej 7 anëtarësh. Si anëtar i Kryesisë, ai vuri në dispozicion të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës gazetën e tij “Populli”, zyra e së cilës u zhvendos në oborrin e ndërtesës së Komitetit. Më 10 janar 1920, u vra në Shkodër. Shkodra, ditën e varrosjes, i bëri S.N. të gjitha nderimet e rastit, duke e shpallur ditë zie. Në ceremoninë e varrimit u mbajtën fjalime nga personalitete shkodrane ku u vlerësue veprimtaria e tij patriotike. U varros në varret e Xhamisë Plakë. Më 1963 eshtrat e Sali Nivicës janë përcjellur për t’u rrivarosur në Tepelenë
LAVDI TË PËRJETSHME DËSHMORËVE QË RANË NË TOKEN E HAPËSIRËS SHKODRANE
Foto 1 Hodo Nivica
Foto 2 Zenel Gjoleka
Foto 3 Pjesëmarrja popullit të Shkodrës në ceremoninë e varrimit të eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Mujo Qullit, (K.Marubi, 17 shtator 1936)
Foto 4 Xhelaledin Mustafa Pasha
Foto 5 Sali Nivica










