Sot shënohen 27 vjet nga fillimi i fushatës ajrore të NATO kundër objektivave ushtarake dhe policore në Serbi dhe Mali i Zi….

Shpërndaje

Sot shënohen 27 vjet nga fillimi i fushatës ajrore të NATO kundër objektivave ushtarake dhe policore në Serbi dhe Mali i Zi.

Operacioni nisi më 24 mars 1999, rreth orës 19:45, kur avionët e NATO-s goditën për herë të parë pozicione strategjike të ushtrisë jugosllave. Vendimi për ndërhyrje u mor nga presidenti amerikan Bill Clinton, i cili deklaroi se veprimi ishte i domosdoshëm pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të ndalur konfliktin në Kosovë. Ai fajësoi udhëheqjen serbe, në krye me Slobodan Milošević, për përshkallëzimin e dhunës dhe refuzimin e marrëveshjes së paqes.

Fushata ajrore zgjati deri më 9 qershor 1999, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund operacioneve ushtarake. Dy ditë më vonë, forcat serbe nisën tërheqjen nga Kosova.

Kjo ndërhyrje konsiderohet si operacioni i parë i madh ushtarak i NATO-s që nga themelimi i saj, me qëllim ndalimin e dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë, në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhje paqësore kishin dështuar.

Gjatë luftës, mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë të tjerë humbën jetën ose rezultojnë ende të zhdukur. Pas përfundimit të konfliktit, Kosova u vu nën administrim ndërkombëtar dhe u vendosën forca paqeruajtëse, duke shënuar një moment kyç për zhvillimet politike dhe stabilitetin në rajon.

Shpërndaje