Është dënuar me 13 vite burgim, Xhemal Zeqiri, i cili 1 vit më parë në 19 Tetor 2023, ekzekutoi me sëpatë fqinjin e tij, Musa Bajraktari.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Postribë të Shkodrës, ku pas një konflikti të nisur me sharje dhe fyerje mes dy personave, Xhemal Zeqiri, ka qëlluar më sëpatë fqinjin e tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Mësohet se pak ditë më parë gjykata e Shkodrës e përbërë nga Sokol Shehu, Egla Marashi dhe Arbër Çela, vendosën të deklarojnë fajtor dhe dënojnë me 13 vite burgim, Xhemal Zeqirin.
Ky i fundit akuzohej nga prokurorja e Shkodrës, Albulena Kuliçi për veprën penale të “Vrasjes”. Gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të çështjes, Xhemal Zeqiri, ka shfaqur pendesë të thellë duke pretenduar se nuk ka dashur ta vrasë, por viktima Musa Bajraktari e ka fyer rëndë dhe se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi.
Pas kryerjes së krimit, Xhemal Zeqiri, e ka shtyrë trupin e pajetë të viktimës në një kanal ujitës, i cili është gjendur vetëm një ditë më parë.
Gjatë procesit gjyqësor, prokurori shpalosi një seri provash që tregonin se autor i këtij krimi të rëndë, është i dënuari Xhemal Zeqiri.