“Ballistët e inkuadruem nën komandën e Shkodrës, prej së cilës ushqeheshin e paguheshin, mbasi e dhanë fjalën me më ndjekë planin tim, u shmangën dhe…”/ Kujtimet e Kol Bib Mirakës….

Share your love

Nga Kolë Bib Mirakaj

                                                -KUVENDI I BURRAVE N’ IBALLE-

Memorie.al / U humbë kohë e çmueshme. U humbë ajo kohë që ndoshta, e fortë kishte gjasë, se do të kishte mujtë me ndrrue rrymën e historisë së kombit tonë fatzi…! Vendosa ta baj mbledhjen n’ Iballe! Caktova datën 12 tetor 1944, pse nuk mund të arrihej ma pare, nga largësia e vendeve dhe mungesa e komunikacionit. E dijshe, se ishte tepër vonë, por nuk kishte tjetër rrugë, veçse: O me hjekë dorë krejtësisht, ose me provue fatin e pasigurt. Zgjanova thirrjen në krejt Malet e Veriut. Me Halil Alinë dhe të tjerë krenë të Dibrës, u takova në Shkodër, ku edhe më dhanë përfaqësimin e vet, me folë n’emën të tyne, e me dhanë aderimin për bashkim e veprim, nëse ata nuk mund të vijshin personalisht (Dibra ishte pushtue nga komunistët prej disa kohe). Ata kishin disa qindra vetë me vedi, e ishin të bindun me ngritë edhe Dibrën e pushtueme, porsa të nisej marrshimi n’ atë drejtim.

Mbledhja u ba në një livadh pranë shtëpisë sime n’ Iballe, në atë mëngjes të ditës së caktueme. Përfaqsoheshin mase katërmbëdhjetë bajrakë, nga katërqind burra dhe letërpërfaqsime, që më kishin ngarkue mue, e të tjerëve. Kapidani i Mirditës, Gjon Markagjoni, i penguem në luftë me brigadat komuniste që kishin sulmue e zbërthye në Mirditë, më dërgoi letërpërfaqsim për vete, e Krentë e Mirditës, si dhe n’emën të Muharrem Bajraktarit, tue më autorizue me marrë detyrimet e rastit, n’ emën të tyne, për çdo vendim që do të merrej për luftën kundër komunizmit.

Hapa mbledhjen me një fjalim i prekun thellë, tue vue në dukje rrezikun, dhe përfundova me këto fjalë: “Burrat e Maleve! Ju e dini pa ua përsëritë unë sot, se jeta ka vlerë, derisa ajo të jetohet me nder dhe me zakonet e shenjta të të Parëve tanë. Kush nuk din, ti japin këtë kuptim jetës, nuk mund të quhet burrë, e nuk meriton të jetojë. Kemi në rrezik gjithshkafën: Besë e Burrni, Ndér’ e Fé, familje e Zot, dhe vetë jetën e ajkës së kombit, bashkë me vetë jetën e kombit! Dy forca janë në ndeshje. Njena asht forca e Atdheut dhe e Zotit, e tjetra asht forca e kundra Atdheut, e kundra Zotit.

Forca e fundit të Ferrit…!

Nuk kam ç’ka u thom ma, e po përfundoj, tue i drejtue lutjen Zotit të Plotfuqishëm, të ketë zgjedhë Bijtë e këtyne Maleve Kreshnike, ushtarë të Vetët e t’ Atdheut. Vendoni me këtë besim, e Zoti ka me na ndihmue”! Folën edhe disa krenë, fjalë fort të thjeshta, plot kuptim e burrni malësore, të gjithë ishin në favor. U morën vendimet me shkrim, dhe u nënshkrue me gishta, myhyrë (vula) e penë.

Vendimet e mbledhjes

“Krenë e Bajraktarë të Malësive të Veriut, që personalisht e me letër përfaqësime, gjenden sot me dymbëdhjetë tetor njëmijenanqindekatërdhjetekatër, të mbledhun n’ Iballe, nën kryesinë e z. Kolë Bib Mirakës, tue përfaqsue katërdhjetekatër Bajrakë, të krahinave Mirditë, Malësi e Lezhës, Dukagjin, Malësi e Madhe, Pukë, Malësi e Gjakovës (Gashë, Krasniqe, Bytyç), Has, Lumë e Dibër, janë dhe dëshmohen gati t’u përgjegjë kushtrimit t’ Atdheut, në luftën kundra komunizmit, e për mbrojtjen e integritetit tokësor t’ Atdheut, bashkë me Tokët e Lirueme, parandiej edhe,

V E N D O J N Ë:

I) Kjo mbledhje, merr emnin “KUVENDI I BURRAVE TË MALEVE”!

II) Të gjithë Burrat e Maleve, prej 18 deri 55 vjeç, të zotët e kambës, dorës e pushkës, mobilizohen e do të dalin në luftë, kurdo që të thirrën, kundër komunizmit, e për mbrojtjen e kufinjëve t’ Atdheut.

III) Zotni Kolë Bib Mirakaj, ka me dhanë kushtrimin, me caktue vendet ku do të mblidhen luftarët dhe me dhanë drejtimet. Lëvizja e “Kuvendit të Burrave të Maleve”, do të ketë një Komandë të Përgjithshme, vendimeve e urdhrave të së cilës, do t’ u bindën të gjithë.

IV) Mobilizimi mbetet i detyrueshëm, dhe njerëzit mbetën nën armë, edhe mbasi të jenë krye operacionet e spastrimit kundër rrezikut bolshevik, për të ruejtë kufijtë etnikë t’ Atdheut, derisa ndonjë faktor i ri, ose Konferenca e Paqes, të mos ketë dhanë sigurimin e paprekshmërisë s’ Atdheut nga armiqtë.

V) Mbrenda dhjetë ditësh që prej sot, të gjithë Burrat e Malësive që përfaqësohen në këtë “KUVEND”, do të jenë gati me dalë n’ ushtri, porsa t’ jepet kushtrimi.

VI) Kush dezerton o tradhton dënohet me vdekje, dhe familja e tij, përzehet përgjithmonë prej rrethit të bashkëjetesës së këtyne Maleve. Kush i mungon kushtrimit, leçitet (i pritën marrëdhëniet), përgjithmonë nga bashkësia e Maleve, i digjet shtëpia dhe i merret pasuria e cila, shkon në dobi të lëvizjes.

VII) Një Këshill i ngushtë, përba nga përfaqësues të Krahinave të ndryshme, nën kryesinë e z. Kolë Bib Mirakaj, qyshë sot, do të përcaktojë planin e mobilizimit, Komandën e Përgjithshme dhe të tjera hollsina të nevojshme.

MBLEDHJA E KËSHILLIT TË NGUSHTË:

Caktoi delegatët e çdo krahine. Kjo mbledhje, u ba në darkë në shtëpinë time. Sikurse, edhe ma parë, në mbledhjen e përgjithshme, prap u kërkue njëzani që unë, të merreshe Komandën e Përgjithshme t’operacjonit. M’asht dashtë mundim e shumë argumente, për t’ iu shmangë kësaj kërkesë.

Kërkova t’i ngarkohej Gani Kryeziut, nëse ai do t’i përgjigjet apelit që do t’i bajshim dhe nëse jo, do t’i ngarkohej Gjon Markagjonit, tue i vue pranë një Shtab të zgjedhun. Gani Kryeziu, ndodhej në Bytyç me rreth dyqind vetë. Besojshe, se nuk ishte komunist, megjithëqë, deri në një ngjarje tepër dhunuese për té, kishte bashkpunue me të kuqtë. Ngjarja në fjalë pat kenë kjo:

“Ditën e Bajramit të verës 1944, Ganiu, shumicën e njerëzve të tij, i kishte lëshue të shkojnë ndër shtëpijat e tyne. Komunistët, kishin qendrën në Krumë të Hasit, dhe duket se ishin informue me kohë, e parapa atë gja. Një grup, prej afër tridhjetë vetë, kësish (të kuq), kishin shkue gjoja me i ba urime “shokut” Gani begu.

Porsa arritën në qendër të Kryeziut, i çarmatosën të gjithë ata, që u ndodhën së bashku me Ganiun, dhe morën rob Sahit Kryeziun, Lazër Fundon dhe oficerin anglez, që ishte me mision pranë Ganiut. Qëllimi i tyne, ishte me ekzekutua Lazër Fundon, i dënuem nga partia komuniste. Të shkuemën në Krumë, Fundon e pushkatuen. Sahitin dhe oficerin anglez, i liruen”!

I drejtova Gani Kryeziut një letër me të cilën, i bajshe apel n’emën të KUVENDIT, që të bashkohej me forcat tona, tue i ofrue Komandën e Përgjithshme, me një Shtab kompetentësh, e një Këshill të përbëmë nga Gjon Markagjoni, Muharrem Bajraktari, Kolë Mirakaj dhe një person të zgjedhun nga Krenët e Dibrës. Letra iu dorzue Man Arif Lamës, nga Mejdani i Gashit, i cili mori përsipër, t’ia dorëzonte Gani beut, mbrënda dy ditësh.

KËSHILLI  VENDOSI:

1) Derisa Gani Kryeziu, të mos ketë dhanë përgjegjën pohuese, ose të mos kemi arrijtë me u bashkue me fuqitë e Kapidanit të Mirditës, Komanda e Përgjithshme dhe dhanja e kushtrimit, i ngarkohen z. Kolë Mirakaj.

2) Veprimet do të fillojnë në dy drejtime njëheri: Njëmbëdhjetë Bajrakët e Dukagjinit dhe Gashë e Krasniqe, do të marshojnë nga Hasi drejtë Lumës, me objektiv Peshkopinë. Marshimi do të bahet në faza të urdhnueme, nga Komanda e Përgjithshme. Komanda e këtyre forcave, i ngarkohet përkohësisht kapiten Tahir Hoxhës nga Gashi, dhe mbasi të jenë bashkue të gjithë me forcat e Lumës, komandën e merr definitivisht, kolonel Muharrem Bajraktari.

  1. Shtatë Bajrakët e Pukës dhe Fushat, do të hyjnë në Mirditë, dhe të gjitha bashkë me fuqitë e Mirditës, Malësisë së Lezhës dhe Thkellës, do të marshojnë për Burrel dhe Krujë njëherit. Komanda e këtyne forcave, i ngarkohet z. Gjon Markagjoni me zëvendës z. Kolë Bib Mirakaj.

Bashkue me fuqitë e Matit, e nëse paraqitet nevoja, një pjesë e këtyre fuqive, do t’i dërgohet në ndihmë nga Qafë-Murra, Muharrem Bajraktarit, për pushtimin e Peshkopisë dhe spastrimin e krejtë Dibrës. Pjesa tjetër, do të marshojë drejtë Shën-Gjergjit. Fuqitë e grumbullueme në Peshkopi: Një kolonë marshon drejtë Qafë-Thanës, e një tjetër, drejt Elbasanit.

Ky marrshim do të bahet në koordinim me fuqitë e grumbullueme në Shën-Gjergj. Kolë Bib Mirakaj, ngarkohet me kordinue veprimin e forcave të ndryshme (derisa nuk i asht dorzue komanda Gani Kryeziut dhe Gjon Markagjonit) dhe, kryesisht, me fuqitë e Lidhjes së Prizrenit.

Në Tiranë, ka për tu ba riorganizimi në baza të gjana kombtare.

Kolë Bib Mirakaj, qyshë tashti, dhe mandej komandanti i Përgjithshëm, kanë të drejtë e autoritetin me emnue oficerët, deri në gradën nënkolonel. Nënoficerët, i emërojnë komandantët e reparteve. Në kushtrimin e parë, detyrohen me dalë n’ushtri me armët e veta, e me bukë për tri ditënjë për shtëpi, ku ka dy burra, dy për shtëpi, ku ka tre dhe katër burra, tre për shtëpi, ku ka pesë burra e naltë, mbrënda moshës së caktueme si të detyrueshme.

Në rasë nevoje të kushtrimit të dytë, do të dalin të gjithë burrat prej moshës 18-55 vjeç, pa asnjë mungesë. Për të mos i lanë shteg anmikut, që të shfrytëzojë propagandën “muslimanë e të krishterë”, forcat e Dukagjinit, që prej Qafës së Kolçit, do të prihen nga Parësia e Krasniqes dhe e Gashit. Nga forcat e mobilizueme në Malësi të Madhe e Rranxa, do të kërkohet vetëm një numër simbolik, prej 200-250 vetash, dhe të tjerat do të lehën në vend për ruajtjen e kufirit me Mal’ të Zi (vazhdojnë firmat).

Bërthama e parë e këtyre forcave (Pukë, Dukagjin e Malësi e Gjakovës), u llogarit rreth gjashtëmijë vetë, e që deri në Tiranë, do të shkapërcente numrin tridhjetëmijë Burra.

Mendojshe se, me që “jurishi sllav”, nuk kishte fillue endè kundra Kosovës, Lidhja e Dytë e Prizrenit, kishte forca të mjaftueshme, për të mujtë me dërgua një pjesë që të bashkoheshin me forcat e Malëve në Kukës. Kishim ndigjue, se edhe rreth njëmijë ballista, nën Komandën e Xhelal Straveckës e Musa Kranjës, kishin arritë në Prizren, nga Greqia, e kjo, kje shumë e vërtetë.

Përgatita një letër në tri kopje, me vendimet e KUVENDIT, e ua dërgova: Një z. Xhafer Deva, Kryetar i Lidhjes së II-të të Prizrenit, nji Musa Kranjës e, Xhelal Straveckës, t’ue u kërkue bashkimin e fuqive të tyne me tonat dhe datën kur mund t’arrinin në Kukës, që të dijshe me caktue ditën e kushtrimit, në lidhje me përgjegjën e tyne. Një kopje, ia dërgova edhe Gjon Markagjonit.

Natyrisht, komunistëve nuk mund t’iu shpëtonte pa u marrë vesh një mbledhje e tillë, dhe rrezikun që kjo përbantë për ata. Me të gjitha forcat që disponojshin në Dibër, Mat e Lurë, shpërthyen Mirditën, tue lanë të rrethuem Sh’Palin, ku po qëndronte një fuqi me Mirditas e Dibranë, nën komandë të Ndue Gjomarkaj e Halil Alisë, dhe mësyjnë për Iballe. Natën e 16-17 tetorit, m’ arrijti lajmi dhe i dhashë kushtrimin Pukës, Dukagjinit, Gashit e Krasniqes, megjithëse, Krenët që kishin marrë pjesë në Kuvend, nuk kishin arrijtë endè në shtëpijat e tyne.

Dukagjini me Nikaj Mertur (njëmijë e pesëqind vetë), arritën në Qafë-Kolçit, mbrënda dy ditësh. Paria e Gashit dhe Krasniqes, nuk doli me u prij për në vend të tyne, siç ishte vendosë, dhe kështu Nikaj-Merturit e Dukagjinit, iu desht me pritë aty në mbrojtje. Unë me pesëqind vetë, por që shpejtë u shtuen e u banë njëmijë e pesëqind, u nisa për ndeshje me ta. Ndeshja me brigadat komuniste, filloi në mëngjesin e ditës 18 tetor 1944, në malet e Lumit t’ Bardhë, afër Fushë Arrësit. I thyem e i përzumë prej andej, deri në Mushtë e në Gojan.

Na mungonte municioni për të mundë me shfrytëzue suksesin. Disa ndër njerëzit e mijë nuk kishin as armë. Në mbështetje të premtimeve të Komandës Gjermane për disa armë e mjaft municion, caktova sulmin e përgjithshëm për datën 25 tetor në të gdhime.

Më kishin premtue 200 armë, pesëdhjetë arka municion dhe një sasi mitraloza e bombahjedhëse (mortaja) të lehta, për të mi dergue mbrënda datës 24 tetor. Nga të gjitha këta, më erdhen dy arka municion pushkësh, një arkë bomba doret e dy bombahjedhëse 45, me dy arka municion.

Nuk kishe mjete për mundësi sulmi, prandaj u deshtë me e anullue vendimin për ndonjë ditë mavonë, kur të më arrinte materiali i nevojshëm. Nisijativa i mbet anmikut. Pozicionet e mija, shtriheshin nga Livadhi i Hamzit (Tërbun), Gojan, Kimës e Qafë-Bari (afër Munellës). Anmiku sulmoi po me datën 25, pak kohë paradreke. Më shterri municioni, u shtërngova me tërhjekë pozicionet nga Gojani, Kimza e Qafë-Bari, për në Fushë-Arrësit, Bardhet e Qafë-Malit.

Mbas dy ditësh edhe nga Livadhi i Hamzit, për në Rrapë, e rreth Pukës. Ndër këto pozicione, qendruem deri me 20 nandor, tue u furrnizue me nga dy-tri arka municion, çdo ditë. Dukagjini (duhet shtue Malësia e Gjakovës, që ishte pa pushkë), qëndroj në Qafë Kolçit, deri në fund të nandorit, pa ua lëshue një pëllamë tokë, brigatave bolshevike, të formueme nga kosovarë malazezë, të Gashit e Krasniqes.

Një pjesë të forcave të Pukës, i kishëm përvete e me moral të naltë, dhe ma në fund edhe gjermanët, na dhanë tridhjetë arka municoni, e dy topa të vegjël, me 85 predha (gjyle). N’anën tjetër, kishe organizue një plan veprimi shumë sekret, për me zanë në befasi brigadat komuniste, që t’ udhëhequra natën nga komunisti Kadri Çoba i Qarretit, me disa shokë të tij, na kishin dalë mbas shpine, për të mësye Iballen.

Ballistat kishin fillue të arrinin turra-turra nga Prizreni, të cilët i përbujt dhe i ushqeva, po nuk kje e mundun t’i bindi, të qëndrojnë me né, pa arrijtë në Shkodër, për të marrë udhëzime e urdhën prej kryetarëve të tyne. Dojshin fjalën e Mit’hat Frashërit, që gjendej në Shkodër.

Kishe nevojë të domosdoshme, për një ndihmë prej rreth njëmijë vetash, nga fuqitë e grumbullueme në Shkodër, që atë kohë nuk kishin asnjë veprim, veçse, me hangër bukë, e me marrë rrogat, flas për forcat balliste. Kjo ndihmë, ishte e nevojshme, jo vetëm si forcë, po edhe për të naltue moralin e krahinës, që tashmë e shihte se kishte ngelë vetëm, në këtë ndeshje. Vendosa të nisëm vetë për Shkodër, tue i lanë përkohsisht tim vëlla, Pashukut, komandën.

Komandanti i Përgjithshëm, i ndjeri Mark Gjomarkagjoni, nuk mungoi ta kuptojë rendësin e planit tim, e të përpiqet me ba dishka, por nuk u ba gja. Ballistët, e inkuadruem nën Komandën e Shkodrës, prej së cilës ushqeheshin e paguheshin, mbasi e dhanë fjalën me më ndjekë planin, u shmangën. U mbajta edhe një fjalim të shkurtë, në korridorin e madh të prefekturës, e kjenë mjaft entuziastë, por mbas tri orësh, e mbasi morën kontakt me Mit’hat Frashërin e krenë tjerë, më njoftuen, se nuk mund të vinin me mue.

Edhe Hasan Isufi me një batalion, më tha se do të vinte me mue, e së fundit më mjaftonte, po edhe ai fatzi u gënjye nga Rasim Gjyrezi, me disa parsi të Shkodrës, që kishin kujtue se e rregulluan punën e tyre me komunistët, e kështu, edhe Hasani, nuk u bind, edhe pse më pat dhanë fjalën. Atëherë, u shtrëngova të lajmëroj Pashukun, që të shpërndajë fuqitë në grupe të vogla, t’ue evitue sa të jetë e mundun, ndeshje me komunistët, për të pritë përfundimet e bisedimeve, me përfaqësuesit e Malit të Zi.

Prej Xhafer Devës, nuk mora asnjë përgjigje!

Pashuku, kur erdhi nga Prizreni, më kishte thanë se Xhaferi, me dhjetëmijë, deri dymbëdhjetëmijë kosovarë, do të tërhiqeshin dhe të vinin në Pukë, e mandej, o me shkue për Shkodër, o me u tërhjekë me ushtrinë gjermane, ose me u shpërnda ndër male, në grupet e rezistencës.

Kështu i kishte thanë Xhafer Deva, tue e porositë, që të më njoftonte mue, për të mbajt unë të sigurueme, rrugën Kukës – Pukë. Pak ditë mbas arritjes së Pashukut, mora vesh se Xhafer Deva, ishte nisë për Vjenë me aeroplan, për të mos u kthye ma për qëndresë, ndërsa kosovarët, po vazhdonin të luftonin. Memorie.al

Share your love