“Më përplasi dhe tha ikim, më la të gjakosur…” I ati i policit në Shkodër aksidentoi dhe gjymtoi të renë…

Shpërndaje

Më 24 Gusht 2024, në një rrethinë të Shkodrës rreth orës 22:30 një kamionçinë përplas një të re 28-vjeçare, e cila kthehej nga puna në shtëpi me biçikletë.

“Ishte ora 20:30, turni i dytë duke u kthyer prej pune me biçikletë me telefonin e ndezur me dritë si gjithmonë, dhe shikoj që po vinte një makinë, u mundova ta shmang që të mos përplasesha me makinën dhe si përfundim ai më goditi. Nuk kam ditur asgjë vetëm, kur kam parë veten duke rrjedhur gjak, dhe jam trembur me thënë të drejtën sepse isha e gjakosur tek syri dhe thashë më iku syri. Kam dëgjuar që ata kanë hapur derën e makinës, ka qenë një burrë dhe një grua, se më ranë syzet dhe nuk munda të shikoja mirë. Më kanë thënë thjesht a je gjallë,” tregon për mikrofonin e “Stop” denoncuesja.

Drejtuesi i automjetit ka qenë me bashkëshorten e tij, por janë larguar nga vendngjarja, duke mos i dhënë vajzës as ndihmën e parë.

“Kam dëgjuar një grua që ka thënë e preku dhe ikën. Por unë një gjë nuk kuptoj se si ajo nënë, që është nënë fëmijësh vetë ka mundur të thotë për fëmijën e një tjetri ‘e ciku’. Falënderoj Zotin që kam, qenë afër, se po të mos kisha qenë, tani nuk do të isha më e zonja të shkoja në shtëpi, kisha përfunduar në rrugë,” thotë denoncuesja.

Gazetari: Më pas kush ta dha ndihmën e parë, kush e njoftoi ambulancën, si shkove në Spitalin e Shkodrës?

Denoncuesja: Kam ardhur në shtëpi vetë. Në gjaknxehtësi jam çuar, isha 30 metra larg shtëpisë. Kam ardhur tek porta duke bërtitur, ka dalë mami tek porta dhe i ka thënë babit ‘vrap ta çojmë vajzën tek urgjenca se iku’.Babai i të aksidentuarës: Njitu ka qënë një gur gjithë gjak, ka rënë shi, e ka la…,ka qen nji gur tan gjak këtu..

Gazetari: E ka përplasur aty, i bie?

Babai i të aksidentuarës: S’ka pas nga me shku më andehaj…ka pa dritat e makinës, ka lënë rrugën, ka dalë këtu. Ai i ka ra, e ka gjujt në mur, ndërsa gomën e biçikletës, e ka shkel me gomën e makinës.

Babai i të aksidentuarës: Ka dajën, familja e atij, që ka aksidentuar, infermier në urgjencë, 17 vite infermier, Hajlin Gjoka… Ai i ka bërë të tëna, ka dhënë urdhër nxirreni vajzën direkt nga urgjenca, se po u shtru vajza në spital, na fiku…

Ashtu e gjakosur e reja është zvarritur në shtëpi dhe prindërit e kanë çuar në spital. Ishin mjekët e spitalit, që referuan rastin dhe policia i mori vajzës dëshminë.

Denoncuesja: Më kanë marrë direkt në gjendje shoku dhe e kam pasur dorën të çarë si fletore të hapur, tek pjesa e damarëve dhe tek pëllëmba e dorës kam pasur kockat e nxjerra jashtë. Kam pasur një të çarë dhe tek balli, gërvishtje dhe nxirrje në të gjithë trupin. Më kanë futur në operacion, më kanë qepur dorën dhe janë munduar të më drejtonin kockat më pas, pasi më ka dalë narkoza ka ardhur polici që e kishte lajmëruar spitali, për të më marrë kallëzimin.

Në mënyrë të çuditshme, të nesërmen e ndërhyrjes, vajzën e nxorën nga spitali, por mjeku, që e operoi, e telefonoi, për t’i thënë, se nuk duhet të dilte. Pas disa ditësh në shtëpinë e saj shfaqet një polic, që u prezantua si i bir i autorit të aksidentit, e duke thënë, se i ati nuk do të bënte burg për këtë ngjarje.

Denoncuesja: Se kush është ne nuk e kemi ditur e kemi marrë vesh shumë kohë më mbrapa. Ka ardhur një polic pas pesë ditëve dhe menduam mos kishte ardhur për të na pyetur për ndonjë gjë, dhe ai thotë se e kishte nisur i ati pasi kishte përplasur një fëmijë. Babi i thotë ‘hajde brenda dhe shikoje fëmijën që i ka rënë’.

Gazetari: Pra ishte djali i atij që të kishte aksidentuar, i veshur si polic.Denoncuesja: Po ne nuk e dinim fare, derisa tha se ishte djali i atij që më kishte përplasur, duke justifikuar babain e vet sepse unë sot e kësaj dite të atin nuk e kam parë.

Gazetari: Nuk ka ardhur as edhe një falje sikur të të kërkojë?

Denoncuesja: Jo, jo! Asnjë falje, asnjë gjë, nuk ardhur të më shikojë as kush jam unë.

Ka kaluar rreth një muaj nga aksidenti, i cili ndodhi në rrethinat e Shkodrës, ku 28-vjeçarja u aksidentua nga një i moshuar i cili drejtonte një kamionçinë, por sipas fakteve ai ka djalin polic në Policinë e Shkodrës dhe mesa duket influenca dhe ndërhyrjet kanë bërë që ky aksident të mos zbardhet.

Denoncuesja: Me thënë të drejtën kam dashur ta bëj publike sepse unë nuk kam gjetur drejtësi tek askush, dhe tani kanë nisur të bëjnë dhe të fortin.

Gazetari: Pse të fortin, çfarë ka ndodhur?

Denoncuesja: Të fortin duke thënë ‘nuk më intereson se kush je, unë nuk të dal për zot për asnjë gjë’. Unë kam hyrë për herë të dytë në sallën e operacionit për të drejtuar dorën.

Gazetari: Plus në punë nuk shkon dot, ke një muaj që nuk shkon?

Denoncuesja: Jo. Ata ecin e flenë gjumë, kurse unë që kur jam aksidentuar nuk mundem të them që kam bërë një natë të mirë, vetëm duke e çuar e duke u sjellë vërdallë nëpër shtëpi prej dhimbjeve.Denoncuesja: Unë kërkoj drejtësi për veten time. Çfarë u bërë unë atyre. Më kanë rënë ata mua, jo unë atyre.

Në policinë e Shkodrës mësojmë, se aksidenti është referuar në Prokurori pas 5 ditësh. Autori i ngjarjes është identifikuar Zef Logu, i cili nuk ka leje drejtimi. Ndërsa kamionçina, që drejtonte, nuk ka as siguracion dhe as kolaudim. Shumë i dyshimtë mbetet fakti, që Zef Logu po hetohet në gjendje të lirë, edhe pse mbi të rëndojnë një sërë shkeljesh penale.

Gazetari: Si je? Shtëpia e Zefit është kjo?

Familja e Zef Logut: Po!

Gazetari: Po ku mund ta gjejmë? Na ndihmon dot me një numër telefoni?

Familja e Zef Logut: Po me një numër po, por është në Shllak…,në fshat, është larg.

Gazetari: Donim ta pyesnim për një aksident me këtë kamionin, që është në oborr, e ka bërë?

Familja e Zef Logut: Jo, jo…!

Gazetari: Është kamion tjetër?

Familja e Zef Logut: Po!

Emisioni “Stop” ka mësuar një tjetër fakt, i cili rëndon situatën akoma më shumë të Zef Logut, ku në oborrin e tij ka një tjetër kamionçinë, por targat që kjo kamionçinë ka i përkasin një tjetër automjeti tip “Lan Rover”, ku edhe kjo kamionçinë si tjetra që shkaktoi aksidentin nuk është e pajisur me siguracion dhe nuk ka kolaudimin.Gazetari: Po tek mjeko-ligjori të kanë çuar ke bërë ndonjë kontroll? Sepse kjo çështje duhet të ketë vajtur edhe në Prokurorinë e Shkodrës.

Denoncuesja: Në Prokurori e di që ka shkuar, por unë asnjë mjeko-ligjor nuk kam parë.

Gazetari: U bë një muaj dhe nuk je kqyrur nga mjeko-ligjori.

Denoncuesja: Jo. Asnjë mjeko-ligjor, vetëm tek mjeku im që më ka operuar atë natë. Kam shkuar një ditë po një ditë jo për të mjekuar plagën dhe pas një muaji e kam vendosur në allçi.

Përmes djalit polic, është minimizuar ngjarja, ndërsa një infermier, është kunati i drejtuesit të kamionçinës, duke bërë, që vajza të dilte menjëherë nga spitali.

Babai i të aksidentuarës: Ai që na ka aksidentu vajzën, ka dajën infermier në urgjencë. 17 vjet, Hajlin Gjoka. Ai i ka bërë të tëna. Ai ka dhënë urdhër nxirreni vajzën direkt nga urgjenca, se po u shtru vajza në spital, na fiku!Gazetarja: Pra ka ndërhyrë daja që është infermier në Spitalin e Shkodrës?

Denoncuesja: 100% e sigurt nuk jam, por ndërhyrje ka pasur. Përderisa mua më kanë nxjerrë në orën 6:30 kur jam operuar në orën 12 të natës. Nuk më kanë shtruar, thjesht më kanë mbajtur tek dhoma e shokut dhe më kanë thënë në orën 6:30 të mëngjesit për të dalë, pa ardhur të më shikoj doktori dhe pa më thënë se si shkoi operacioni. Mua më ka bërtitur doktori atë natë më tha ‘pse ke ikur, kush të tha ty të ikësh, si ke ikur pa ardhur të të shikoj unë?’.

Gazetari: Pse ike?

Denoncuesja: Më tha mjekja.

Gazetari: Kush mjeke? Ja mban mend emrin.

Denoncuesja: E di që e ka emrin Lida , e ka parë tek kartë-vizita që e kam me foto, e cila më tha ‘ a e di si është puna, je në rregull mundesh të shkosh’.

Gazetari: Ishte mjeke roje?

Denoncuesja: Po më tha ‘eja pas 1 jave’. Dhe pas një jave kam shkuar dhe më ka marrë doktori në telefon dhe më ka thënë ‘a e ke mjekuar plagën’.

Gazetari: Dhe kartelën nuk e gjeni?

Denoncuesja: Jo dhe kam qenë nën e fektin e qetësuesve dhe nuk e mbaja mend se unë i kisha bërë foto kartelës, para se të ikja. E kemi kërkuar kartelën dhe më ka thënë i afërmi atij që më ka përplasur, që ishte infermier, ‘nuk ke për ta parë ti atë kartelë’./tvklan

Shpërndaje