DVP Shkodë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Prekal”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të prodhimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen rreth 2.63 kg cannabis sativa, 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë shtetasi që i mbante në banesë, në fshatin Prekal.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda dhe me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që mbante armë zjarri dhë lëndë narkotike, në banesë, organizuan operacionin policor të koduar “Prekal”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Pal Gjolaj, në fshatin Prekal, ku kanë gjetur rreth 2.63 kg cannabis sativa, 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat u sekuetruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 1 celular.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Pal Gjolaj, 75 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.