Nga Xhafer Sadiku
ESAD PASHË TOPTANI SHPËTOI PRIFTËRINJTË NGA VDEKJA PREJ URISË
(Lufta për mbrojtjen e Shkodres, tetor 1912-prill 1913)
“Ne priftërinjtë i jemi përjetësisht mirënjohës‚ ç’ka e shprehim me përulje edhe në këtë shkrim”. P. Domenico Facin O.F.M
Në rrethimin e Shkodrës‚ tetor 1912-prill 1913‚ krahas viktimave të shumta nga popullsia civile‚ të shkaktuara nga bombardimet e ushtrisë malazeze dhe serbe‚ pati qindra të vdekur nga uria.
Rreziku i vdekjes nga uria kërcënoi edhe priftërinjtë dhe motrat Stimatine; të cilët shpëtuan falë ndihmës së Komandantit të mbrojtjes së Shkodrës dhe guvernatorit të qytetit‚ Esat Pashë Toptanit. Ja çfarë shkruante i dërguari i Vatikanit‚ P. Domenico Facin O.F.M:
“…Ndodheshim në kushtet e nevojës ekstreme për mish e oriz, për të shuar urinë, por nuk dinim ku do t’i gjenim; për më tepër tashmë ishte mjaft e vështirë të mund të gjeje për të blerë ushqime të tilla, por edhe për faktin se edhe paratë ishin duke u mbaruar. Edhe në këto rrethana Jezusi i mirë urdhëroi ti zgjidhte në mënyrë të tillë gjërat, saqë na erdhi në ndihmë vetë guvernatori Turk Esad Pasha (që zëvendësoi guvernatorin e vrarë), duke na dhënë çdo ditë falas rreth gjashtëmbëdhjetë kilogram mish e katër kile oriz, nga rezervat që guvernatori i mbante për ushtrinë. … Ne priftërinjtë i jemi përjetësisht mirënjohës‚ çka e shprehim me përulje edhe në këtë shkrim.
Me rekomandim të Monsinjor Luigj Bumçit, Ipeshkv i Lezhës‚ një mik i vjetër i guvernatorit dhe që gëzonte besimin e tij‚ shkoi tek Esat Pasha një përfaqësi e kryesuar nga vetë P. Domenico Facin O.F.M‚ ku bënte pjesë edhe Dom Mark Shllaku‚ për ti shprehur mirënjohjen e thellë. Ai i priti me ngrohtësi dhe vuajtjet e tyre i përjetoi me dhembshuri.
P. Domenico Facin O.F.M e vazhdon relacionin e tij: Jo pak mund të ketë ndikuar në shpirtin e Guvernatorit fakti, që ne e Motrat tona, me shkresë zyrtare të pajisur nga ipeshkvi e konsullata mbretërore, i kishim ofruar që në fillim të luftës ndihmën për të plagosurit…..
Por cilado që mund të ishin motivet që e shtynë Guvernatorin për të na ndihmuar, kjo ka pak rëndësi. I rëndësishëm është fakti që ai vërtet na shpëtoi, e që e vazhdoi këtë bamirësi çdo ditë për një periudhë rreth një muaj; domethënë, deri sa erdhi koha në të cilën edhe për ushtrinë u pakësua më parë orizi e pastaj mishi; e në të tilla rrethana, ushtria turke u gjend në kushte të dëshpëruara, që përshpejtoi për fat të mirë fundin e rrethimit që shkaktonte viktima nga dy goditje të tmerrshme‚ uria dhe lufta”.
Domenico Facin O.F.M., në librin “Priftërinjtë e vegjël dhe motrat Stimatine gjatë Rrethimit të Shkodrës”, botuar në Firenze në 1913.
Në foto, nga e majta në të djathtë –
Rreshti i parë‚ sipër: Fr. Pasquale Doda, Fr. Anton Hila, P. Carlo Premushi, P. Ciril Zani, P. Leon Ashiku, P. Leonard Shajaku, P. Domeniko Bërdica, P. Gjergj Fishta, P. Gjergj Hajmeli, Fr. Francesk Shala.
Rreshti i dytë: P. Zef Gizi‚ Sekretar P. Giovanni di Salvo, P. Bonaventura Nika‚ Gardian, P. Domenico Facin‚ Komisar P. Agostino Kola; P. Ambroglio Marlaskaj, P. Justin Rrota.
Rreshti i tretë: dy shërbëtorë të Manastirit.