Shkodër/ Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Tentoi të vriste një shtetas, duke qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari i shpallur në kërkim.
Në vijim të kontrolleve dhe punës së inteligjencës policore që kryhen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, ndaloi shtetasin Vitor Kola, 35 vjeç, banues në fshatin Karmë, Vau i Dejës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Më datë 25.04.2024, në Vaun e Dejës, shtetasi Vitor Kola dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Gj. N., 39 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ky shtetas. Nga të shtënat pat vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.