Skema/ Si e mashtruan pronarin e “Exchange-t” gjeorgjianët, në mes të 500-ësheve € vendosën gazeta…

Shpërndaje

Janë zbardhur detaje të reja nga grabitja e pikës së këmbimit valutor pasditen e të premtes në sheshin Zdrale të Shkodrës, ku tre gjeorgjianë të prezantuar si “ukrainas” arritën t’i grabisnin përmes mashtrimit pronarin e “exchange-t” 140 mijë euro.

Njëri prej autorëve, shtetasi Kakha Joua u kap në aeroportin e Stambollit në Turqi dhe u deportua menjëherë në Rinas, të cilit me vete iu gjetën edhe 7500 euro.  Në kërkim vazhdojnë të jenë dy shtetasit e tjerë gjeorgjianë G. T., 45 vjeç dhe B. T., 36 vjeç.

Burime për mediat bëjnë me dije se ata ishin prezantuar si shtetas ukrainas, teksa tre të dyshuarit kërkonin prerje 500 euroshe në pikën e këmbimit valutor. Pas marrjes së parave, ata i numëronin, i mbyllnin në një zarf dhe i fshihnin në çantën e tyre.

Kur pronari i “exchange-t” këmbëngulte për verifikimin e parave, ata i jepnin një zarf tjetër që përmbante një tufë ku në fillim dhe fund ndodhej nga një kartmonedhë e vërtetë.

Specifikisht, në fillim dhe në fund të zarfit, ndodhej një prerje prej 500 euro, ndërsa pjesa tjetër e zarfit ishte e mbushur me prerje gazete të një madhësie dhe forme të ngjashme me paratë e vërteta. Kjo krijonte një iluzion që zarfet ishin të njëjta, dhe pronari i pikës së këmbimit valutor mund të mendonte se ishte e njëjta shumë parash.

Rasti i fundit në Shkodër ku u vodhën 140 000 euro është pjesë e një serie mashtrimesh që kanë prekur exchanget në Shqipëri. Para kësaj, një incident i ngjashëm ka ndodhur në zonën e “Pazarit të Ri” në Tiranë dhe një tjetër në Elbasan.

Shpërndaje