Myftinia Shkodër, 18 mars 2020
Të kthehemi nga vlerat e besimit dhe të lutemi me zemër për mëshirë e bekim!
Në kushtet e kësaj gjendjeje të re që u krijua jashtë vullnetit tonë, në të cilën jemi përfshirë të gjithë së bashku, të rrethuar nga interesimi i vazhdueshëm, diku-diku me frikë, ankth, stres, diku edhe panik, është mirë që herë pas here të këshillohemi e të përhapim mesazhe shprese dhe optimizmi, që na ndihmojnë për ta përjetuar këtë moment me qetësi e besim, larg çdo thirrjeje që nxit pasiguri e dyshime në mesin e njerëzve.
Të dashurit e mi,
Ne si besimtarë, jemi njerëz të jetës, të ndërtimit të saj, të shpresës e të besimit në Një Zot! Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk ka asnjë situatë a realitet në botë, që mund të na pengojë për ta jetuar jetën me krejt gjendjet e saj, të mbështetur në një besim të madh e të palëkundur në Zotin, që e bën gjithësecilin prej nesh të aftë e të fortë për të jetuar në harmoni dhe paqe me veten, sepse jemi në harmoni e paqe me Zotin e gjithësisë.
Në Kur’an ka versete që bëjnë fjalë edhe për lutjen dhe adhurimin në gjendje lufte. Po të ndalemi e të lexojmë me vëmendje këto versete, do të kuptojmë se qëllimi i tyre nuk është nxitja e tmerreve e frikës nëpërmjet luftrave, porse thirrja e shenjtë drejtuar njeriut, që edhe në luftë po të jetë, mos ta harrojë Zotin e tij, mos ta humbë shpresën, mos të bjerë në dëshpërim e demoralizim!
Ne jemi ftuar të jetojmë me dritën e Zotit dhe udhëzimin e Tij. Me fjalë të tjera, besimi në Zotin e gjithësisë na jep forcë e kurajo për të mos e humbur ekuilibrin në jetë, përtej situatave të ndryshme dhe sprovave të jetës!
Pra, mos të ndikojë asnjë faktor i jashtëm me të cilin mund të përballet krejt natyrshëm njeriu në jetë, si: varfëria, skamja, mjerimi, sëmundja, sprovat e ndryshme, etj., për ta larguar nga ekuilibri i besimit, sepse ky ekuilibër është ai që na mban përherë në formën e shembullit të njeriut mëkëmbës i Zotit në tokë!
Jeta e kësaj bote është kalimtare dhe arenë sprovash, ku ne jemi të ftuar të japim më të mirën nga vetja e jonë, duke u dalluar me cilësinë e sjelljes, veprave, fjalëve, mendimeve dhe qëllimeve fisnike, që na mundësojnë të jetojmë me dinjitet dhe pastërti!
Jemi të ftuar që këto fenomene, me të cilat po përballet jeta e njeriut, t’i analizojmë me qetësi, jo të ngarkuar emocionalisht. Jo të dalim e të bërtasim me të madhe se: “Ky është gazepi i Zotit”, “Ky është kijameti”, “Ky asht fundi”, e të ngjashme!? Unë ju lutem të distancohemi nga disa thirrje qesharake e të mbeshtjella me dëshpërim e frikësim, me pesimizëm e panik, që vijnë nga poshtë-lart, nganjëherë të mbështjella edhe me ambalazh fetar?!
Të dashurit e mi,
Feja e Zotit është optimizëm e shpresë për njeriun, jo e kundërta! Rrini të qetë se nuk bëhet kijameti, sa të jemi ne në këtë botë! Ne nuk jemi thirrësit e kijametit! Ne jemi pasues të thirrjes së bekuar: “Nëse po bëhet kijameti dhe në dorën e ndonjërit prej jush ka një fidan, le ta mbjellë atë!”. Pra, ejnai të shohim realitetet tona shoqërore, familjet tona, fëmijët tanë dhe edukimin e tyre, rininë tonë dhe arsimimin e saj; se sa e sa fidane kemi nevojë të mbjellim sot, për të korrigjuar dhe ndrequr tokën jopjellore të “kijameteve”, që lulëzojnë në mesin tone, në shoqërinë shqiptare!
Të shohim të keqen dhe të përpiqemi për të ndrequr atë, kudo që ta gjejmë, duke nisur nga vetja, familja e rrethi i ngushtë, sepse në këtë mënyrë i bëjmë një shërbim të madh vetes, shoqërisë, atdheut, kombit e mbarë njerëzimit!
“Shkuma e detit shkon, ndërsa e vërteta, që i sjell dobi njerëzve, ajo do të mbesë”, thuhet në Kur’an. Pra, sot njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë specialistin, mjekun, shkencëtarin, studiuesin e ditur, njeriun e vlerave, larg zhargoneve zhurmuese, që deri dje shurdhonin njerëzit me fjalë të shumta e pa dobi! Tamam, siç e thotë edhe dijetari i shquar shqiptar, Sheh Qazim Hoxha, në vitin 1934 shkruante: “O njeri! Shkundu! Çire maskën e apathís, grise perden e gafletit (hutimit)! Të mirat e paqëndrueshme, stolít formale qi do të keshë në jetën t’ande nuk duhet me të bâ qi t’a harrojsh qëllimin e krijimit t’and! Naltësija jote, madhështija e jote duhet t’i drejtohet nji idealit mâ të naltë!”.
Mos të harojmë se e sotmja dhe e ardhmja qëndrojnë mbështetur mbi bazat e besimit! Prandaj, të kthehmi nga vlerat e tij dhe të lutemi me zemër për mëshirë e mirësi, bekime e begati për ne dhe racën njerëzore!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Përmbledhje e videomesazhit të dhënë, më 17 mars 2020, në kushtet e pandemisë së COVID-19)