Delegacioni sportiv shkodran, futbollistë, staf, drejtues dhe shoqërues të tjerë që i janë bashkangjitur kuqebluve në këtë udhëtim të largët, pasditen kësaj të marte fluturuan drejt Islandës. Me një ndalesë në Vienë dhe më pas drejt Rejkjavikut, aty ku mbrëmjen e së enjtes kuqeblutë do të ndeshen me skuadrën vendase Valur në kuadër të ndeshjes së parë të turit të parë, Europa Conferencë League.
Pasditen e së Hënës kuqeblutë janë stërvitur në fushën sportive të Golemit me një seancë të plotë, ndërkohë edhe paraditen e kësaj të marte ishte edhe një e tillë por me doza disi më të ulëta. Ndërkohë mesditën e kësaj të marte ekipi shkodran la qytetin e Shkodrës për t’iu drejtuar aeroportit të Rinasit.Në aspektin sportiv, stafi teknik me në krye kryetrajnerin Thomas Brdariç, asistentët e tij Vioresin Sinani, Ergi Borshi, trajneri i portjerëve Ideal Lekiqi, si dhe drejtori sportiv Tefik Osmani, ka gjithçka gati.Me përjashtime të vogla, ku në ndonjë repart ka dyshim duke pasur në balotazh dy emra, pjesa kryesore e formacionit tashmë duket se është fiksuar për ndeshjen e parë që do të luhet të enjten në Rejkjavik.
I vetmi shqetësim për teknikun gjerman është mungesa e sulmuesit Gruda, që për arsye dëmtimi nuk do të bjetë i gatshëm për këtë ndeshje, ndërkohë që pjesa tjetër është e tëra në rregull, duke pritur zgjedhjet e teknikut për formacionin e parë, i cili përgjithësisht, pritet të jetë ky: Qarri, Gurishta, Stojanoviç, Juriç, Bajrami, Krymi, Qato, Deliu, Kahrimanoviç, Mala, Balaj.Edhe pse pritet të jetë një ndeshje e vështirë, kjo edhe për faktin se skuadra islandeze është në mes të kampionatit duke pasur një formë optimal, në kampin kuqeblu ka optimizëm për marrjen e një rezultati pozitiv që në ndeshjen e parë, për t’i paraprirë një kualifikimi të mundshëm në ndeshjen e kthimit që luhet me datë 18 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”.