“Kapidan Gjon Markagjoni, me disa Mbretërorë, është në Shkodër dhe ka deklaruar që të bëjnë qëndresë, kurse Abaz Kupi, me një barkë, është nisur për…”/ Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit…

Shpërndaje

Nga Hysen Selmani

Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

Istanbul, 10 korrik 1944

Madhëria e Tij Mbreti Zog i I-rë, më dërgoi një letër udhëzimesh në Legatën Shqiptare Istanbul, ku më shkruante:

I dashuri kolonel. Jam i kënaqur prej raportit tuaj që më dërgoni më 1 Maj 1944. Duhet më shpesh të më dërgoni raporte, mbi gjendjen në Atdheun tonë. Tani për tani, nuk e shoh të arsyeshme t’ju dërgoj letra për njerëzit tanë. Veprimet tona, duhet të koordinohen me ato të Qeverisë Britanike. Prandaj pa qenë të marrur vesh me Qeverinë Britanike, nuk mund të japim udhëzime të tjera, përpos atyre që ju kemi dhënë më parë. Mbasi nuk duam të jemi ne një pengesë, për planet e komandës Supreme Aleate. Qeverisë Britanike, ja kemi bërë me kohë gjithë propozimet e duhura. Por, deri sot, s’kemi marrë ndonjë përgjigje pozitive! Natyrisht aspiratat e Fqinjëve tanë, e bëjnë Qeverinë e këtushme, të mos i japin edhe çështjes Shqiptare, zgjidhjen e plotë që meriton. Por, duhet të kemi besim në drejtësinë e Britanisë se Madhe, për kombet e vegjël, të cilët në kohën e volitshme, do ta tregojnë edhe kundrejt nesh.

Por tani duhet të vazhdohen lidhjet me të gjithë fuqitë tona, të cilat duhet të jenë të gatshme, për veprim në çastin e duhur. Duhet të bëhet bashkimi i përgjithshëm, pa përjashtuar askënd, dhe pa përjashtuar, as ata që kanë bërë atentate kundër meje. Përjashtohen vetëm ata, të cilët për interesin e tyre personal, bashkohen me armikun. Kjo është porosia ime, porosi e cila frymëzohet prej interesit kombëtar. Po të sigurohet bashkimi si ai i Prizrenit dhe i Lushnjes, shpresoj se të gjitha punët, do të rregullohen.

Me kaq, ju dërgoj të falat e mia të përzemërta.

London, Palmoor – 7 – Korrik – 1944

                               ZOG I-rë

“Siç urdhëron, Madhëria e Tij, Mbreti, që është tepër e nevojshme një bashkim i mbarë shqiptarëve për interesin e Atdheut. Po, nuk arrihet dhe sidomos tani që janë shpikur grindje të pa pajtueshme, në mes të grupeve të ndryshëm. Po ashtu, ekziston edhe propaganda e dirigjentëve të huaj”.

Komanda Britanike në Mesdhe, shkruhet në kronikën në fjalë,- na mban gjithnjë me premtime, po pa asnjë rezultat. Kjo, siç shihet, ka dëshirë që ne të hyjmë në Shqipëri, por trembet nga protesta, që u bëhen prej komunistëve. Ata, nuk e pranojnë shkuarjen e kolonel Husein Selmanit në Shqipëri, se është e vërtetë për komunistët, që ajo është një pengesë e madhe. Faktet na tregojnë haptas se, Ballkani mbetet si zonë e Rusisë Sovjetike. Fati i keq i yni është, që edhe ne u kompozuam po në atë zonë dhe patëm një shpresë në premtimet e Ragip Frashërit, por fatkeqësisht nuk u bë asgjë.

Istanbul, 20 shtator 1944

Kolonel Husein Selmani, merr një raport urgjent nga Qendrat Mbretërore në Shqipëri, ku i deklarojnë: “Sot Shqipëria është komplet në anarshi. Vëllavrasja midis ‘Ballit Kombëtar’ e Nacional-çlirimtares, është në kulm. Ka vrasje, djegie, masakrime aq të mëdhaja, sa nuk të merr mendja. Këtë anarshi edhe historia, nuk e përshkruan me notat e duhura fatkeqësisht.

Mbretërorët, janë në luftë kundër okupatorit gjerman. Kudo zhvillohen ndeshje, në Mat, Krujë, Dibër, Lumë, e vende të tjera. Është e vetmja fuqi sot, që po lufton okupatorin gjerman, ndërsa grupet e tjera, luftojnë njeri tjetrin. Fatkeqësisht, sakrificat e përgjakshme të Mbretnorëve kundër armikut të përbashkët, nuk njihet prej aleatëve. Megjithëse e dinë mirë dhe janë në dijeni misionerët britanikë, që ndodhen përbri tyre.

Është krejt e sigurt, se pushtetin po e merr në dorë Nacional-çlirimtarja, d.m.th., komunistët të Kominformit ruso-jugosllavë. Pasi këta tani, kanë një fuqi të organizuar prej ermenëve dhe italianëve, me material modern. Ata, gjithashtu, ndihmohen nga aleatët me gjë dhe tani, mori formën haptazi dhe u zbuluar.

Agjentët e Kominformit Jugosllav dhe rus, kanë mbledhur krerët e Nacional-Çlirimtares në Përmet dhe tani pas vrasjes të Profesor Mustafa Gjinishit, Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Baba Fajën dhe Faik Shehun e Spiro Moisiun, i zhveshën nga fuqitë e tyre. Këta, zotëronin fuqitë më të mëdhaja të Nacional-çlirimtares, duke vënë forcat e tyre nën Dali Ndrenë, Mehmet Bajraktarin, Mehmet Shehin, Gjin Markun e Tahir Kadaren, Husen Stafën, Hulusi Spahinë, e të tjerë. Të gjithë ishin me tendenca komuniste.

Ndërsa: 1-Ymer Nishanin, 2-Enver Hoxhën, 3-Sejfulla Malëshovën, 4-Koci Xoxen, 5-Myslim Pezën, 6-Haxhi Lleshin, 7-Baba Fajën, 8-Bedri Spahinë, 9-Medar Shtyllën, 10-Ramadan Çitakun, 11-Karaman Yllin, 12-Hysni Kapon, këta bashkë me agjentët ruso-jugosllavë, u mblodhën në Përmet, dhe aty kanë deklaruar formimin e Qeverisë Shqiptare Komuniste. Jemi lajmëruar qartë se këtë Qeveri e njohën edhe Aleatët.

Në këtë kongres, thuhet se kanë marrë pjesë edhe misionarët britanikë, ku posa mori fund kongresi dhe u shpall Qeveria Komuniste Shqiptare, është dërguar një delegacion në Komandën e Aleatëve në Palermo, nën kryesinë e Bedri Spahiut. Dhe, kështu aleatët anglo-amerikanë e njohën, kurse rusët, e kishin përgatitur vetë. Tani këta funksionojnë dhe derdhin shpallje si qeveri. Tani, po përgatiten me thirr një kongres në Berat, se ‘Balli Kombëtar’, është tërhequr krejtësisht nga jugu në veri. Tanimë, pjesa e jugut, administrohet nga komunistët dhe tani edhe ne ndodhemi në pragun e shkatërrimit kryekëput. Çdo kush ka humbur vullnetin, sa dirigjuesit tanë, nuk duken më asgjëkund. I gjithë faji, është që nuk erdhët ju vetë këtu. Kështu, me qenë sot këtë Qeveri e formonim ne, e jo komunistët, me ndihmën e shokëve tanë. Tani nuk ka shpresë më, vetëm në është ndonjë mrekulli”.

Stamboll, 15 tetor 1944

Në kongresin, që mblodhi Nacional-çlirimtarja në Berat, u votua edhe për Qeverinë e formuar në Përmet. Ishin këto masa, siç po i shënojmë poshtë, thotë kolonel Selmani:

Kongresi komunist në Berat

  1. Ymer Nishani, Kryetar Presidiumit
  2. Enver Hoxha, Kryeministër e Komandant
  3. Koci Xoxe, Ministër i Brendshëm
  4. Karaman, Ylli Ministër i Jashtëm
  5. Mendar, Shtylla Ministër i Financave
  6. Sejfulla, Malëshova Ministër i Botores
  7. Myslim Peza, Nën kryeministër Dispozicion
  8. Haxhi Lleshi, Ministër i Ekonomisë
  9. Baba Faja, Dispozicion i Presidiumit
  10. Bedri Spahija, Ministër i Arsimit
  11. Ramadan Çitaku, Ministër i Drejtësisë

Tani, këta të njohur prej të gjithë aleatëve, pas kongresit të Beratit, i lëshuan thirrje mbarë popullit, në emër si Qeveri dhe me qendër në Berat.

“Lufta bëhet në rrethet e Tiranës, si edhe brenda në Tiranë, komunistët me gjermanët. Komunistët janë të ndihmuar prej aviacionit Aleat, në rrethimin e Tiranës. Komandantët komunistë janë: Dali Ndreu, Gjin Marku, Tahir Kadareja, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Beqir Minxhozi, Kadri Hoxha, Federik Nosi. Por, brenda në Tiranë, janë vetëm dy kompani gjermane. Ata kanë trë tanke të vegjël dhe artilerinë, e kur gjermanëve po u vinte një fuqi ndihmuese prej Elbasani, duke kaluar Kërrabën, pa rënë në Erzen, u bombarduan shumë rëndë, prej një aviacioni Aleat. Saqë ata u shkatërruan fare.

Nga kjo fuqi, komunistët shqiptarë, bashkë me atë jugosllave, ermene dhe italianë, përfituan dhe patën mundësi të futen brenda në qytet. Ndërsa, të dy kompanitë gjermane, nuk u dorëzuan por morën drejtimin për Shkodër. ‘Balli Kombëtar’, është tërhequr nga Shkodra. Nuk diktohet asnjë rezistencë. Flitet se, Mit’hat Frashëri, me shtabin e partisë së vet, kanë zënë një barkë në Shëngjin dhe janë nisur për Itali. Pjesa tjetër balliste, është se disa janë grumbulluar në Shkodër, disa në male. Nuk kanë ndonjë program dhe akoma në Shkodër e Prizren, janë disa forca gjermane, por gjithnjë duke u tërhequr”.

“Mbretnorët, nuk kanë një organizim të prerë. Ata nuk kuptohen njeri me tjetrin. Një pjesë e madhe dëshirojnë të grumbullohen në Mat e Lurë. Këtu për një kohë, nuk kanë mundësi që komunistët t’i shkatërrojnë, se edhe komunistët, nuk ju pëlqen që të përgjaken e të armiqësohen me Mbretnorët, se ju kushton rendë. Por ne, nuk jemi dakord njëri me tjetrin dhe këshilli ynë, nuk duhet gjithë këto kohërat e fundit. Vetëm se në Mat, janë grumbulluar më tepër se 500 oficerë dhe shumë nga patriotët nuk dinë se çfarë të bëjnë.

Miqtë tanë, tani në gjininë komuniste, mundohen që ne të qëndrojmë indiferentë, po kush ju beson?! Sikur të kishte qenë gjallë Profesor Mustafa Gjinishi, do t’ besonim, për një Qeveri të koalicionit. Por edhe të ishte aty gjallë, nuk do t’i zhvishte Myslimin, as Haxhinë, por këto do të kishin fuqinë më të madhe në dorë. Këta do të luanin një rol të madh dhe me përkrahjen tonë, por tani këto, nuk kanë më fuqi. E, nuk ju besojmë, jo për gjë tjetër, por thjesht se nuk i pyesin. E gjithë fuqia, është në dorë të Enver Hoxhës dhe Koci Xoxes. Askush tjetër, duket se nuk ka gjë në dorë.

Tani na lajmërojnë se, edhe major Abas Kupi me 4 vetë, ka marrë një barkë në Shellinze, dhe është nisur për Itali. Po, nuk dihet gjë e vërtetë akoma. Tani gjendja, siç ua shpjeguam, ndodhemi me një atmosferë të kritikshme, saqë nuk dimë se çfarë të bëjmë. Është tepër vonë e, për ndonjë udhëzim prej jush. Ne, po të kemi një shpresë ndryshimi të kësaj situate, ne për 5-6 muaj, mbahemi në Mat e Lurë.

Kapidan Gjon Markagjoni, është në Shkodër, i bashkuar me një pjesë të madhe Mbretënorësh. Ai ka deklaruar, që të bëjnë qëndresë në Shkodër dhe në një bisedim që qenka mbajtur në Shkodër, u ndoq në Lurë, Mat, Mirditë. Sot në Shkodër, forcat shqiptare kapin afër (6000) vetë dhe janë të përzier prej të gjithë grupeve. Këtu u bë një fuqi e bashkuar,- na thotë kapiteni – për të luftuar vëllazërisht.

Ne ju përgjigjëm se: “Jemi dakord me çdo sakrifice morale dhe materiale. Qëndroni, se këta vetëm, nuk i lëshojmë në asnjë mënyrë”.

          Tiranë 26 nëntor 1944

Tirana është krejtësisht në dorë të Nacional-çlirimtares, shkruan i dëshpëruar adjutanti. Por, duhet thënë se vendet e veriut dhe disa pjesë të Shqipërisë së Mesme, akoma janë në duart e Mbretnorëve dhe zotërojnë forca të mira. Por, ata po u gënjyen, kurrsesi nuk donin të përgjaknin njëri tjetrin. Gjithashtu, një pjesë e Nacional-çlirimtares, që pretendonin se janë nacionalistë, si: Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Faik Shehi, Spiro Moisiu, Shefqet Beja, duket se mbetën miq të ngushtë me Mbretnorët. Këta zhvillonin një propagandë, për një Qeveri të koalicionit me Mbretnorët. Kuptohet bashkë, deri sa të bëhen zgjedhjet në popull. Kështu, pothuaj se mbetën në besim.

Këta u gënjyen, prej këtyre miqve, që kishin bashkëpunuar qysh më 1939-ën. Ata ishin së bashku dhe të bashkuar me një program të përbashkët. Gjithashtu, edhe në kohërat e fundit në Shqipëri, këto me sigurimin më të madh, e gjithin në Mat. Dhe, kur nuk besonin t’i gënjejnë dhe bile si tradhti. Në besimin e tyre, ata ndaluan një vëllavrasje, mes Mbretnorëve e Nacional-çlirimtares. Të parët që ranë viktimë në besimin e tyre, ishin: Jusuf Selmani, Sul Kurti, Major Murat Basha, Major Jahja Çaçi, bashkë me 400 oficerë. Po ashtu, edhe shumë nga Parësia e vendit, shkuan si viktima.

Sa për Fiqiri Dinen dhe Hysni Demën, me një pjesë të madhe që nuk u dorëzuan, puna ishte se ata, ishin duke pritur se çdo të përfundonte nga rezultati i të parëve. Por, këta të parët, shkuan viktimë, se siç u pa ata nuk kishin qëllim për të formuar një qeveri të koalicionit, por një qeveri komuniste, nën Kominformin Ruso-Jugosllav.

Kështu, pothuaj e gjithë forca Mbretërore, u shpartalluan pa një program dhe pa asnjë dobi në male. Ata mbetën të veçuar, dhe pësuan vuajtje të mëdhaja në male, në dimër. Populli ishte shumë i torturuar dhe frikësohej, por për Legalistët, ishte bërë e pamundur qëndrimi në male. Po ashtu dhe Muharrem Bajraktari, ka pas dëme të mëdhaja, përfundon rrëfimin e tij, njeriu i Mbretit Zog i I-rë.

Është dita e 29 nëntorit të vitit 1944. Gjermanët, janë tërhequr nga Shqipëria duke shënuar çlirimin e vendit. Ndërkohë, gjendja e luftëtarëve nacionalistë shqiptarë, është e mjerueshme. Kanë dalë edhe në Greqi, një shumicë e madhe prej 600 e sa vetë dhe shumë vazhdojnë duke kaluar, në Itali e Jugosllavi. Një sasi e madhe, ka dalë edhe në Austri, prej atyre që ishin grumbulluar në Shkodër, kujton adjutanti. Ata kaluan në Austri dhe prej andej në Itali. Është koha kur Fuqitë e Mëdha, bëhen skeptike ndaj komunistëve dhe “filluan të prishen me qeverinë komuniste të Tiranës, se tani e kuptuan se ata dirigjohen nga Kominformi dhe janë kundër kapitalizmit”. Ata nuk i lejojnë që shëtisin ku ata dëshirojnë, pohon koloneli. “Dhe, kanë pothuaj si nën kontroll, gjithkund. As popullin nuk e lenë që të marrë kontakt me ta. Një, prej popullit që të marrë kontakt me anglo-amerikanët menjëherë e zhdukin”.

Zogu kërkon informacion për gjendjen e keqe të njerëzve të tij, që janë shpërndarë në malet e Shqipërisë. Ndërkohë nga ana diplomatike, e ka të vështirë që të riparojë. Tani i duhet vetëm që të presë. Me këtë rast, ai i dërgon një memorandum Fuqive të Mëdha: Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Britanisë së Madhe; Rusisë Sovjetike dhe përveç këtyre dhe të gjithë Shteteve, që merrnin pjesë përbri Aleatëve në luftë. Madje, ju dërgua edhe kolonive, për të protestuar

Istanbul, 8 nandor 1945

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe, u tërhoqën nga Shqipëria. Ky është një gabim politik dhe patriotik, që bënë dirigjentët e Qeverisë Komuniste Shqiptare kundër Anglo-Saksonëve. Ata, në vend që të kërkonin përkrahjen e ndihmat e tyre për rimëkëmbjen e popullit të varfër, nga evolucioni i tmerrshëm rreth 4 vjetëve; i përzunë në shenjë armiqësore. Një veprim i tillë, – shkruan ne kujtimet e tij Lartmadhëria – vërtetësisht nuk qartësohet. Arsyeja e këtij veprimi, mbetet në errësirë dhe është e pa dalluar.

Shqipëria akoma ndodhet në një anarki të tmerrshme. Sepse përditë vërtetohen ekzekutime, burgime, internime. Pothuaj është një situatë e dhimbshme, që nuk pajtohet me njerëzimin. Dhe ne, nuk kuptojmë, se pse bëhen këto masakra në popull, pavarësisht se nuk ka asnjë rezistencë, që t’i trondisë fituesit Nacional-çlirimtarë. Përkundrazi, kjo e ndihmon fort megalomaninë greke, në kërkesat e “Vorio-Epirit”.

Nga ana tjetër, të gjithë nacionalistët i bashkon fakti me ata, që mbrojnë interesat e independencës dhe të integritetit shqiptar. Sot dua të them se, asnjë hap, nuk bëhet kundër regjimit të Tiranës. Tanimë, edhe qëndrimi i një pjese nacionaliste, që kanë mbetur akoma nëpër malet e Shqipërisë, nuk ka asnjë dobi përveç se shtohen vuajtjet e tyre. Dëmtimet, që mund të shkaktojnë në popull, janë të mëdha, sepse, duket se nuk është koha e një aksioni kundër komunizmit.

Kuptohet se, pa patur sigurimet, siç na urdhëron Madhnija e Tij, Mbreti Zog, – se grekët nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e Shqipërisë së Jugut, kuptohet se asnjëherë, nuk do ja mbërrijnë atij ëndërrimi të pavend. Vetëm se, po shkaktojnë një armiqësi, në mes të dy popujve miq.

Emigrantët shqiptarë, si në Itali po ashtu në Greqi, kanë mbetur në frikësime të mëdhaja. Frika është se, mos t’i dorëzojnë, pasi kërkesat e Titos, bëhen pa masë, si për Jugosllavët, ashtu për Shqiptarët, që t’i dorëzojnë, se janë kriminelë lufte. Ka shumë mundësi, që t’i dorëzojnë. Kur na lajmërojnë se, Mit’hat Frashërin dhe Ali Këlcyrën, i kanë arrestuar në Itali, është frika se mos t’i dorëzojnë tek komunistët. Është kjo arsyeja, thotë adjutanti, – që Mbreti Zog, ka urdhëruar ministrin fuqiplotë në Turqi, Asaf Xhaxhulin që të bëjë demarshet pranë autoriteteve anglo-amerikane, për t’i lënë të lirë.

Edhe të japë çdo garanci për ta. Mbreti Zog, menjëherë ndërhyri vetë pranë Qeverisë Britanike, që mos të pësojnë ndonjë rrezik këto nga kërkesat komuniste. Të lihen në kampe të lirë, ose t’i tërheqë në Angli, ose të marshojë në Egjipt, pranë Madhnisë së Tij Mbretit Farruk, që të shkojnë në Egjipt. Po, ashtu u bënë hapa edhe pranë Qeverisë Italiane.

Tani, prej atyre që patën mbetur në male, pjesa më e madhe u tërhoqën dhe kaluan në Greqi, si: Kolonel Fiqri Dinja, Kolonel Hysni Dema, kolonel Muharrem Bajraktari, gjeneral Prenk Pervizi, Abas Ermenji, e të tjerë. Pothuaj se, afër 300 vetë, dolën bashkë me këta në Greqi, sepse, ishte i pamundur sigurimi i ushqimeve në Shqipëri, pa u diktuar prej agjentëve komunistë. Në ndeshje, janë bërë edhe shumë vrasje dhe dëme në popull, prej komunistëve.

Tani është një pjesë tepër e vogël, por pa asnjë veprimtari. Ata hyjnë e dalin, por jo ndonjë dobi, vetëm se kanë qëllim me marr ndonjë informatë mbi pozitat e sovjetëve në vendet strategjike. Memorie.al

Shpërndaje