Osmani kënaqet edhe me barazimin: Kjo pikë nuk vlen tani, por do të na vlejë në fund të kampionatit…

Shpërndaje

Partizani ka dalë triumfues në derbin me Dinamon. Të kuqtë janë kthyer më në fund te fitorja, duke mposhtur dinamovitët me rezultatin 2-0. Goli i parë u shënua në minutën e 30 nga Bintsukaja, ndërsa në pjesën e dytë, më saktësisht, në minutën e 70, Albers Keko dyfshoi shifrat. Me këtë humbje, Dinamoja mbetet jashtë 4-shes, megjithëse ndan të njëjtin numër pikësh me Tiranën.

Ndërkohë, Vllaznia është ndalur në një barazim 0-0 nga Teuta. Shkodranët kanë hyrë në një krizë rezultatesh në javët e fundit, duke rrezikuar ndjeshëm edhe vendin e dytë në renditje. Partizani është vetëm një pikë larg tyre. Më poshtë mund të lexoni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Osmani (Vllaznia): “Pas rezultateve të fundit ishim të detyruar që të ndryshonim diçka. Jam i kënaqur me paraqitjen e këtyre lojtarëve. Ishte një test për ata lojtarë që mendojmë t’i aktivizojmë ditën e mërkurë. Në pjesën e parë u orientuam më shumë në lojën mbrojtëse. Nuk depërtonim në sulm. Në momentin kur duhet ta bënim, nuk kishim pasimin e duhur. Kjo pikë vlen. Ndoshta për momentin jo aq shumë, por në fund të kampionatit do të vlejë”.

Mehmeti (Dinamo): “Në 30 minutat e pjesës së parë duhet të ishim më të përqendruar dhe më agresivë. Kemi humbur shumë dyluftime dhe zbritëm shumë poshtë. Më vjen keq, sepse skuadra pëson gol dhe pastaj reagon. U thashë lojtarëve që Partizani do ta niste vrullshëm. Morëm një penallti dhe aty mund ta kishim ndryshuar ndeshjen. Ndeshja u mbyll me kartonin e kuq. Nuk i sinkronizuam mirë kohët e presionit. Partizani ishte shumë më i vendosur për të fituar dyluftimet. Filtri i parë duhet të ishte shumë më agresivë. Skuadra e nisi jo ashtu si duhet në aspektin psikologjik, jo me besimin e duhur. Partizani e meritoi fitoren. Faktori kyç i kësaj ndeshjeje ishte menaxhimi jo i mirë i 30 minutave të para”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Shpërndaje