Tre vende të para kanë merituar notarët shkodranë në garat e Kampionatit Kombëtar të fëmijëve të organizuara në Tiranë nga Federata Shqiptare e Notit. Në këtë aktivitet morën pjesë 8 ekipe nga Shqipëria, ku ekipi Shkodra Not i drejtuar nga trajneri Kolë Shiroka, përfaqësues zyrtar i Vllaznisë, konkuroi me këto sportistë: Viki Tafrruku, Adriel Marku, Albi Bilali, Alkeo Isufi, Dean Vajushi, Matia Jubani, Era Gogaj, Kolë Rupa.
Figurën më të mirë sportive nga ekipi i Vllaznisë e ka bërë si zakonisht notarja e talentuar Viki Tafrruku, e cila arriti të fitojë dy vende të para, në garën 50 metër stil shpinë, dhe në 100 metra stil shpinë. Tafrruku konkuroi edhe në dy gara të tjera duke qënë ndër sportistet e vetme që konkuroi në katër disiplina.
Në 50 metra stil i lirë dhe në 200 metra stil shpinë u rendit në vendin e dytë. Me këto rezultate Viki Tafrruku arriti të shpallej në fund të aktivitetit si sportistja e tretë më e mirë e kampionatit. Një figurë shumë të mirë sportive në këtë kampionat ka bërë edhe notari Adriel Marku, konkurues në dy gara, atë katërnotim ku u shpall fitues i vendit të parë, si dhe në garën tjetër, 50 metër stil bretkose ku u rendit në vendin e tretë.
Një vend nderi meritoi Vllaznia edhe në stafeten e 50 metrave stil i lirë për meshkuj me përfaqësues notarët: Albi Bilali, Matias Jubani, Alkeo Isufi dhe Dean Vajushi duke u renditur në vendin e tretë. Risia e këtij kampionati ishte edhe konkurimi i notarit 6 vjeçar nga Shkodra, Kolë Rupa, i cili ishte edhe sportisti më i vogël i kampionatit. I stërvitur nga trajneri Kolë Shiroka, Rupa ka spikatur për mënyrën profesionale të notimit duke dhënë sinjalet e një kampioni të padiskutueshëm në garat e ardhshme, ku me të drejtë organizatorët e kanë nderuar me diplomën e sportistit të perspektivës.