Qatip Osmani është optimist se Vllaznia do të vazhdojë serinë pa humbje edhe përballë Skënderbeut në Korçë. Trajneri i kuqebluve, duke folur në konferencën para sfidës në fjalë, ka theksuar se ekipi i tij është në formë të mirë, ndonëse ka filluar të ndjejë pak lodhjen e kësaj pjese të ngjeshur të sezonit me shumë ndeshje.
“Sigurisht për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe veçanërisht e radhës që vjen. Mendoj se jemi të gatshëm për një rezultat pozitiv.
Skënderbeu është një ndër ekipet që luan futboll të bukur në Shqipëri. Masat që duhet të merren para çdo ndeshje sigurisht i kemi marrë dhe udhëtojmë në Korçë plot optimizëm për një rezultat pozitiv.
Çdo ndeshje, çdo kundërshtar thotë që duhet të ndalim Vllazninë, por ne nuk ngarkohemi. Por është futboll, është lojë e re, absolutisht nuk ngarkohemi.
Shqetësim për portierët? Sigurisht që dy portierët e parë janë të dëmtuar, por deri të hënën besoj se njëri prej tyre do të jetë i gatshëm.
Lodhja nga ndeshjet? E kam thënë edhe më parë që ndoshta problemi më i madh është ky sepse faktikisht barrën e këtij kampionati e kanë mbajtur një grup lojtarësh që kanë pasur shumë pak pushim. Por gjithsesi në stërvitje kanë qenë mirë dhe ishin të gatshëm për të luajtur.
Vllaznia ka qenë një ekip i shëndoshë, kompakt, i cili në të dy fazat e lojës luan shumë mirë. Do të bëjmë çmos të vazhdojmë këtë seri”, tha Osmani.