Ilir Dibra: Vllazni, është koha për të fituar kampionatin…

Shpërndaje

Vllaznia vijoi serinë e fitoreve edhe kundër Erzenit në Kupë, edhe pse vuajti pak në kohën e rregullt. Shkodranët mbajnë vendin e dytë në kampionat dhe janë në gjysmëfinale të Kupës, çka do të thotë se kanë mundësi të fitojnë të dy trofetë. Ilir Dibra, ish-mbrojtësi i shpallur kampion me fanellën kuqeblu, jeton në Kanada, por aktualisht ndodhet në Shkodër dhe ka ndjekur nga afër dy ndeshjet e fundit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari i njohur është ndalur më shumë te fitorja me Tiranën. Ai thekson se është viti i Vllaznisë për të fituar titullin pas 23 vjetësh mungesë. Dibra, nga Kanadaja direkt në stadiumin “Loro Boriçi” për të parë Vllazninë.

Si i keni përjetuar këto dy ndeshje?

Po, pashë ndeshjen me Tiranën dhe atë të Kupës. Emocione të papërshkrueshme për fitoren me Tiranën, ndeshje të tilla të sjellin përherë emocione të mëdha. Ishte ndeshje e bukur dhe m’u bë qejfi që isha prezent në atë fitore të Vllaznisë kundër një rivali historik. Të jem i sinqertë, ishte një atmosferë e paparë prej vitesh. Kisha vite që nuk shikoja një takim kaq të bukur dhe një atmosferë të tillë. Pashë një Vllazni të bukur dhe në anën tjetër një Tiranë të dobët.

Si mendoni, a është ky viti i Vllaznisë për të fituar titullin?

Dëshiroj dhe uroj të jetë viti i Vlåaznisë në kampionat dhe në Kupë, ku tashmë është në 4-she. Besoj shumë te kjo Vllazni, u bënë 23 vite që nuk dalim kampion.

Cila është forca e kësaj skuadre?

Duke ditur se ku e mori skuadrën ky staf teknik, mendoj se po merr më të mirën nga të gjithë lojtarët. Besoj se është viti i Vllaznisë, sepse shoh rezultatet që ka marrë javë pas jave. Ka ndonjë mangësi, por është një grup kompakt. I shoh të gjithë shumë të motivuar dhe të bashkuar për t’i dhënë kësaj Vllaznie një trofe që i mungon prej vitesh.

Përmendët edhe kalimin në gjysmëfinale të Kupës…

S’ka ku shkon më bukur. Një arritje me plot meritë, edhe pse pak e vështirë. Vllaznia ka kërkuar të fitojë përherë në të dy frontet, kampionat dhe Kupë. Në asnjë moment, as në periudhën tonë, s’i kemi ndarë kampionatin apo Kupën.

Një Vllazni si në kohën tuaj, me 70-80% shkodranë?

Unë mendoj se ka vend për të aktivizuar më shumë shkodranë. Për sezonin e ri do të doja që të afroheshin edhe ata shkodranë që po luajnë për skuadra të tjera jashtë qytetit tonë.

Ju mungon Vllaznia?

Të them të drejtën, e kam ndjekur Vllazninë në çdo ndeshje. Komunikoj me miq, por më mungon fizikisht, kuptohet. Më mungojnë ndeshje si këto që pashë këto ditë. Nga larg e ndjek me rezultate dhe me renditjen.

Sipas jush, “Final 4” është punë e kryer, apo duhet pritur ende?

Po të vazhdohet kështu, mund të quhet punë e kryer. Por ka ende shumë ndeshje, ku duhet bërë shumë kujdes. Duhet të shmanget në çdo moment euforia. Mendoj se stafi drejtues dhe ai teknik kanë ditur ta shmangin euforinë, që ne shkodranët na ka karakterizuar.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje