Superiorja ka hyrë në një fazë interesante. Egnatia kryeson kampionatin me 10 pikë diferencë, e ndjekur nga Partizani, ndërsa në vendin e 3-të qëndron Vllaznia. Shumë larg pritshmërive Tirana, skuadër që renditet e katërta. Situata është e nxehtë edhe në fundin e tabelës, ku Teuta dhe Kukësi kërkojnë të largohen sa më shpejt nga zona e kuqe. Trajneri i mirënjohur, Ernest Gjoka, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, tregoi këndvështrimin e tij.
Edhe kjo javë prodhoi fitore me goleadë, është realisht një garë kaq e fortë?
Është garë e fortë, pasi niveli i skuadrave është i barabartë. Gjë e mirë është që shënohen gola. Në një kampionat që prodhohen gola, ka atmosferë ndryshe. Është ndërruar brezi, nuk ka aq shumë eksperiencë. Për shembull ndeshja e djeshme e Dinamos, skuadra po fitonte 2-0, shpërdoroi. Kukësi, me lojtarë të rinj dhe të huaj, barazon, por nuk mund të mbajë dot atë pikën që është shumë e vlefshme. Ka shumë ekipe që nuk kanë eksperiencë.
Mos po interpretohet keq formula, një ekip si Tirana pëson katër gola në kryeqytet dhe kalon si një sfidë e radhës…
Ky është një lloj eksperimenti që do ta shikojmë në fund. Sigurisht që ka edhe të mirat e saj. Për shëmbull, nëse do ishte një kampionat normal, Tirana do kishte hequr dorë nga titulli kampion. Apo Vllaznia, apo Lacci, po të vazhdojnë kështu mund të ëndërrojnë atë Final Four. E keqja? Për shembull, skuadrat që mund të arrijnë Final Four, mund të ulin marshin.
32 gola ka pësuar Tirana në 21 javë, vetëm Kukësi, mbrojtja e dytë më e dobët, çfarë po bën kaq keq Tirana, pse është në këtë gjendje?
Një skuadër si Tirana që është gjithmonë pretendente dhe ta shikosh në këtë situatë, natyrisht ka diçka që nuk shkon. Ndoshta mbrojtësit nuk janë të duhurit, ndoshta lojtarët nuk e kanë atë egon për të mbrojtur. Në futboll nuk mbrojnë vetëm mbrojtësit. Tirana mund të ketë probleme në mendësi. Nuk mundet dot që Tirana të realizojë 2 gola dhe të pësojë 2 gola. Me pak kujdes mund të rregullohen gjërat.
A rrezikojnë në këtë formë edhe vendin e katërt, për më tepër që në këtë merkato vetëm po shesin…
Momenti nuk është i mirë, ka edhe shumë ndeshje në lojë. Vllaznia ka më shumë stabilitet, Dinamo ka kërkesat e veta, e Lacci është zgjuar nga gjumi. Për Tiranën do të ishte një dështim i madh…
Ndyshe nga se pritej as Partizani nuk është në kushte perfekte, një fitore një humbje dhe një barazim me Shehin në stol, si e keni parë këtë ekip me Shehin në stol?
Ardhja e Shehit është diçka pozitive, është një nga më të mirët. Natyrisht duhet të pritet pasi në futboll ka proces. Partizani ka ekip të mirë, me shumë cilësi. Shehi ka dhimbje koke se kë do aktivizojë. Të kuqtë kanë organikë të mirë.
Janë 10 pikë larg vendit të parë, larg Egnatias, kaq e madhe është diferenca mes dy ekipeve?
Futbolli matet me statistika. Nëse shifrat e thonë, do të thotë se Egnatia ka bërë maksimumin. Egnatia ka një filozofi loje ndryshe, ka patur një bosht shumë të mirë, pavarësisht se ndryshoi. Egnatia nuk duhet të ulë ritmin, pasi në final four nuk ka lidhje sa pikë je para, janë ndeshje direkte. Ndeshjet direkte kanë të bëjnë me eksperiencën, kanë të bëjnë edhe me dëshirën.