Përdorimi i antibiotikëve pa kriter është kthyer në një shqetësim të madh. Raporti i fundit i OBSH konstatoi se një e treta e popullsisë së rajonit përdor antibiotikë pa recetë mjekësore.
“Ne shikojmë që kemi një rritje të rezistencës antimikrobike, por si është gjendja sot në Shqipëri? Pra funksionon që merren pa recetë, por të mos harrojmë që ky antibiotik për herë të dytë nuk do të ketë efekt siç ishte herën e parë dhe duke vazhduar në mënyrë të tillë do të kemi një rritje të dozës”, thotë Gent Stroni, mjek infeksionist.
Mjekët tregojnë se disa prej antibiotikëve kanë dalë nga përdorimi, pasi nuk po japim më efekt. Ndaj kërkohet që të përditësohen protokollet e mjekimit sa i përket sëmundjeve infektive.
“Çdo vend ka specifikën e vet sepse ndryshe mund të jetë Italia ndryshe është Shqipëria në mënyrën e përqasjes. Sepse ne kemi parë që azitromicina në Itali jep efekte të mira në Shqipëri nuk jep. Këto duhen të shikohen hap pas hapi dhe veprimtaria e tyre. Parë në këtë këndvështrim ne do të duhet të bëjmë një studim afat kohor. Azitromicina këtu tek ne e kanë marrë pa recetë, të papërshkruar nga mjeku” , shton ai.
Pandemia e Covid-19 nxiti mbipërdorimin e antibiotikëve, kjo do të thotë më shumë vështirësi në trajtimin e sëmundjeve.
“Ka qenë e gabuar përqasja në kohën e pandemisë gjë që ne do të duhet ta shikojmë në kohen në vazhdimin sepse ne kemi këtë rritje tashmë të rezistencës të mikroorganizmave bakterial kundër këtyre antibiotikëve . U përdoren antibiotik jo vetëm të spektrit të ngushtë por edhe antibiotikë të spektrit të gjerë ose të klasave të larta gjë që do reflektoje në vitet në vazhdim” , shprehet Stroni.
Sipas të dhënave të OBSH 5 milionë njerëz vdesin çdo vit në botë nga rezistenca bakteriale që krijohet nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve. Ndërsa në Europë humbin jetën çdo vit gjysmë milion qytetarë.