Ministrja britanike e shëndetësisë infektohet me koronavirus

Shpërndaje

Ministrja e Shëndetësisë së Mbretërisë së Bashkuar, Nadine Dorries ka konfirmuar se është infektuar me koronavirusin e ri.

“Mund të konfirmoj se kam rezultuar pozitive ndaj koronavirusit. Sapo u informova, i ndërmora të gjitha masat e këshilluara dhe jam në vetizolim shtëpiak”, njoftoi ajo.

62-vjeçarja Dorries ka shërbyer si nënsekretare e Shtetit për Shëndetësi dhe Kujdes Social që nga viti 2019.

“Me të vërtetë më vjen keq kur dëgjuam se Nadine ka testuar pozitive për koronavirusin. Ajo ka bërë gjënë e duhur duke u vetizoluar në shtëpi. Ne të gjithë ia dëshirojmë më të mirën teksa ajo të rikuperohet”, shkroi në rrjetet sociale Sekretari i Shtetit për Shëndetësi, Matt Hancock.

Gjatë javës së kaluar, Dorries ishte në një eveniment ku i pranishëm ishte edhe kryeministri britanik Boris Johnson, si dhe ishte së bashku me qindra deputetë në parlament.

Numri i rasteve të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 373, ndërsa vendi ka konfirmuar rastin e gjashtë të vdekjes.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si Covid-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan, Kinë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që atëherë, virusi është përhapur në 110 vende ndërsa OBSH-ja ka shpallur shpërthimin e urgjencës ndërkombëtare shëndetësore.

Shpërndaje