“Shkodra, djep i antikomunizmit, që gjatë periudhës së diktaturës, foli më shumë me heshtjen e tij, se sa…”!/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për librin e intelektualit Mark Zadeja

Shpërndaje

Nga Shpendi TOPOLLAJ

Memorie.al / Për nga kontributi historik për të ruajtur dhe zhvilluar më tej vlerat e larta atdhetare, kulturore, artistike dhe arsimore, për figurat e shquara të çdo fushe që nxori gjatë shekujve qysh nga periudha e mbretërimit të Teutës, Agronit dhe Gentit deri në kohët e reja, ndofta Shkodra, me popullin e saj fisnik e mikpritës, e ka merituar më shumë se çdo qytet tjetër i Shqipërisë trajtimin dinjitoz, pas çlirimit të vendit. Por pikërisht me këtë qytet, në vazhdën e padrejtësive që sistemi komunist i pati në natyrën e tij, ngjau paradoksi më i madh; ai u përbuz, u pa gjithmonë me dyshim dhe iu nënshtrua dhunës, raprezaljeve dhe luftës së egër e të paprerë të klasave.

Populli i këtij qyteti, përjetoi si askush tjetër, veç varfërisë, tmerre të padëgjuara më parë: pushkatime, varje në litar, burgosje, tortura, internime, shpronësime, sekuestrime e turpërime, nga më të pabesueshmet. Në shënjestër u vunë intelektualët me emër, familjet e pasura, klerikët e të gjitha feve dhe kushdo që manifestonte mospajtimin më të vogël me rendin despotik që po instalohej.

Bukuria mahnitëse e këtij qyteti, ku qenë kombinuar si askund tjetër, mrekullia e liqenit, lumenjve, kodrave, fushave pyjeve dhe maleve, magjia e legjendave që zbrisnin nga ajo kalaja madhështore, tingujt e muzikës së atyre jareve që do të habisnin edhe Verdin, Puçinin e Maskanjin vetë, ajo e folura e pastër dhe e ëmbël e banorëve të tij, veshjet e tyre që do t`i kishin zili edhe piktorët e famshëm të rilindjes, çuditërisht nuk e zbutën asnjëherë zemëratën e paarsyeshme, të xhahilëve komunistë.

Ata, me organet e tyre të sigurimit, futën frikën deri në bark të nënës tek i madh e i vogël, pa njohur fare mëshirën për të pafajshmit dhe të pambrojturit. Lumturoheshin kur u ngarkohej detyra çnjerëzore, për t`a kthyer murin e varrezave të Rrmajit nga ana e Kirit, lyer me gjakun e të vrarëve pa gjyq, në ‘Pere Lachaise’ e Komunarëve të Parisit të kohës së Republikës së Tretë (21 maj 1871). Ishte kjo arsyeja madhore që edhe revolta për përmbysjen e atij sistemi, nisi pikërisht këtu, ku dhe hakmarrja vazhdoi edhe në grahmat e fundit, duke vrarë katër djem, që kërkonin liri e demokraci. Me pak fjalë, Shkodra vuajti.

Ja, kështu e ka quajtur edhe librin e tij autori shqiptar me banim në Gjermani, stomatologu Mark Zadeja. Platoni, emri i vërtetë i të cilit ishte Aristokles, e ka thënë thjeshtë e bukur se; “Ky qytet është ai që është, sepse qytetarët janë ata që janë”. Edhe Marku këtë ka dashur të shpjegojë me librin që ka shkruar. Në këtë moshë që jam dhe sjell ndërmend vitet e fëmijërisë që i kalova në Shkodër, realizoj se ai qytet ishte një botë më vete. Një botë që me heshtjen e saj të imponuar, fliste shumë. Dhe ja, këtë e ka zbuluar mjaft mirë, bashkëmoshatari im i nderuar, akademiku, Mark Zadeja.

Për më tepër, ai duke pasur prirje për ta studiuar me pasion filozofinë, ka zgjedhur që filozofikisht ta analizojë armën me të cilën populli i mençur i Shkodrës, ruajti të paprekur karakterin e tij të formësuar ndër shekuj, dhe të mos binte në grackën e krijimit të “njeriut të ri”, që partia – shtet e proklamonte me të madhe. Duke ditur rolin e madh dhe ndikimin që ka pasur Kleri Katolik i Shkodrës, në kultivimin e vlerave humane, kam zgjedhur një thënie të profesorit të Kishës së Krishtit, Leroy Brownlow, i cili shkruante: “Ekzistojnë momente, kur heshtja jehon më fuqishëm, se çdo gjë tjetër”.

Dhe të gjithë e dinë, se ajo, përfshirë dhe ato barcaletat e artikuluara me gjysmë zëri si pjesë e saj, kanë qenë tiparet dalluese të kundërshtisë së shkodranëve ndaj dogmave dhe bëmave komuniste. Heshtja ishte emëruesi i përbashkët i atyre njerëzve; të cilët sa herë takoheshin dhe shiheshin sy ndër sy, mezi e mbanin atë të qeshurën ironike. E parë kështu, libri i zotit Mark Zadeja, e analizon atë situatë vuajtjesh që zgjati gati gjysmë shekulli, sipas një këndvështrimi të panjohur më parë. Vetë ai shprehet se; “Në heshtje, shpirti ka ruajtur sekretin, por tani guximshëm afirmon veten, duke shfaqur të vërtetën”.

Nga ana e saj, heshtja duke qenë arkivi më i besueshëm i kujtesës, nuk të tradhton asnjëherë. Ndaj autori vazhdon: “Duke u përpjekur të rifreskoj kujtimin, po shkruaj diçka me gjithë ndjesinë e shpirtit, forcën e vullnetit për çfarë ndjej më mirë për të vërtetën, të drejtën, por pa harruar kurrë atë dritë të vogël që vjen nga ‘Lart’, vetëm për qytetin tim, çka unë kam vuajtur gjithnjë. Kam ëndërruar se ndoshta njëherë do të vijë koha për të shfaqur, për të treguar ato çfarë unë përjetova për qytetin ku u linda, qytetin e vuajtjes, SHKODRËN”.

Dhe i gjithë tregimi i tij, s`është tjetër veçse himni i rezistencës për ata që meritojnë fjalët e tij se “Shpirti njerëzor që dashuron Lirinë, nuk pajtohet kurrë me diktaturën që për kohën ishte shkatërruese për një popull, për artin dhe kulturën shqiptare”. Ky sistem dhe sidomos diktatori që nuk ngopej kurrë me gjak rinor të popullit, e siguronte, sikurse thotë autori, ekzistencën e vet me krijesën e tij besnike, të ashtuquajturit; “sigurimsa”. Mjerë ai që kishte punë me ta.

Jeta njerëzore në sytë e tyre e kishte humbur kuptimin. Për ta vlente frikësimi i masës dhe nënshtrimi i tyre skllavëror, për të mbushur burgjet ku i priste puna kafshërore. Sot, të gjithë i dinë këto, prandaj Marku nuk rri t`i numërojë ato. Kanë shkruar për to shumë, si: Arshi Pipa, At Zef Pllumi, Uran Kalakulla, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Maks Velo, e plot të tjerë të burgosur të ndërgjegjes, ose fare pa faj, me rrëfimet e tyre të trishta.

Marku nga ana e tij, bën zbërthimin shpirtëror, zbulon fenomenet që ngjasin në subkonshiencën e tij, studion deri ku të çon durimi dhe si mundet njeriu para këtyre llahtarëve të mbetet përsëri Njeri dhe të falë, të mos hakmerret ndaj atyre që i sollën kaq mjerime. Këtë e bën më shumë në formën e eseve, sesa të tregimeve. Dhe mbi të gjitha, thekson sesi arriti qyteti i tij, me zërin e tij të fshehur, “me lotët e tij, të bashkonte njerëzit, pa asnjë dallim feje apo ideje”. Ishte kjo, ajo mrekullia që bëri që ky qytet të mbijetonte dhe ai vetë të krenohet: “E DUA SHKODRËN, MË SHUMË SE JETËN TIME…”!

Por zbërthimit psikologjik nga ana e këtij autori, nuk i kanë shpëtuar as goditjet e klerikëve, ulërimat solidarizuese me vendimet e padrejta të shërbëtorëve të regjimit, spiunllëqe, kopjimi i kinezërive, aksionet e mundimshme, mallkimi i gjithçkaje quhej kapitaliste, servilizmi i shkrimtarëve të hosanarave, kapardisja e krekosja e injorantëve, që e quanin veten komunistë, pa ditur se ç`është komunizmi dhe që quheshin të tillë, falë një fletushke ku shkruhej; “anëtar partie”, e deri te shqetësimi për ato të këqija që po shfaqen sot në demokraci, ku marksistët e dikurshëm, janë shndërruar në pashallarë me mjekra dhe ku emigracioni, nuk ka të ndalur.

Marku, në kompozimin e librit ka alternuar edhe disa poezi të tijat, në pajtim me sa do të parashtrojë në vazhdim, të cilat me thyerjen e tyre, i japin bukuri atij dhe shërbejnë si ilustrime për kapitujt që pasojnë. Mbështetur në aspiratat e shkodranëve, se në liri do të bëhet më mirë, në ndershmërinë e tij, në preokupimin qytetar, që nuk i ndahet edhe atje ku jeton prej një kohe të gjatë, Marku e mbyll librin me disa porosi e këshilla, ku dashje pa dashje, ka dhe doza besimi naiv dhe bindje te ato, dhe Zoti si shkop dirigjenti, do e ndryshojnë botën tonë për mirë.

Ah! Sikur të ishte kështu. E rëndësishme mbetet ajo që ai shtjellon gjatë gjithë përmbajtjes së këtij libri, pra se në momente kur diktatura shqyen me thonjtë e saj, edhe heshtja është mjeti që nuk e aprovon atë, që i kundërvihet asaj ose që paralajmëron fundin e atij regjimi. Është e tillë, pasi jo më kot për të humoristi amerikan, Josh Billings, një herë që u bë serioz tha: “Heshtja, është një nga argumentet më të vështira, për t`u përgënjeshtruar”. Por edhe libri “Qyteti i vuajtjes”, i z. Mark Zadeja, vështirë se mund të përgënjeshtrohet. Memorie.al

Shpërndaje