Autogoli i Qarrit prish debutimin e Osmanit: problemet nuk mbarojnë për Vllazninë, 1-1 me Erzenin…

Shpërndaje

Me largimin e Migen Memellit nuk kanë mbaruan problemet e Vllazninsë. Kuqeblutë barazojnë 1-1 me Erzenin, në debutimin e Qatip Osmanit. Ish-tekniku i Shkëndijës nuk pati sigurisht kohë për të ndryshuar gjëra, ndaj dhe rezultati mund të konsiderohet i pranueshëm. Autogoli i Qarrit prishi planet e shkodranëve, që deri në atë moment ishin në avantazh të penalltisë së shndërruar në gol nga Balaj.

Ashtu si në fazën e parë, ndonëse me shifra të tjera, mes kuqebluve e Erzenit përfundon në barazim. Shijakasit bënë rezistencë në Loro Borici, duke dalë në fund me një pikë të çmuar. Debutimi i Osmanit mund të kishte shkuar edhe më mirë. Ndeshja në pjesën e parë dhuroi pak emocione. Skuadrat ishin të përqendruara për të mos i lënë hapësira njëra-tjetrës e kjo ndikoi shumë në kualitetin e lojës me top. Rasti i parë i vërtetë ishte ai i minutës së 27? që në fakt zhbllokoi edhe lojën. Maliqi ndërhyri nga pas ndaj Malës dhe arbitri Melataj akordoi penallti, që Balaj nuk e gaboi.

Boshnjaku i shkoi pranë dyfishimit, edhe pse Erzeni tentoi të ndryshonte dicka në lojë. Zeka e Kahrimanovic dhanë sinjalet e rikthimit të shijakasve. Deliallisi nxiti të tijtë të dilnin përpara përmes zëvendësimeve, ndërsa Osmani u mundua të kontrollojë. Barazimi në fakt erdhi edhe me fat, sepse në goditjen e Zekës topi u përplas në shtyllë, nga aty në këmbët e portierit Qarri e në rrjetë.

Një “dush i ftohtë” për shkodranët të cilët rrezikuan edhe kapitullimin. Kiqina goditi fuqishëm, me portierin e kuqebluve që reagoi si duhet. Në fund, ndeshja u mbyll në barazimin 1-1 dhe rezultati nuk ndryshoi vendet e ekipeve, të cilat mbeten të rrezikuara pranë zonës së ftohtë.

Shpërndaje